Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, nuk do të dëshmojë në gjyqin penal për akuzat se ai nuk ka deklaruar se ishte përdorues droge në formularin për blerjen e një arme në vitin 2018, tha avokati i tij.
CNN-i njofton se Abbe Lowell, avokati i Hunter Biden, tha në gjykatë të hënën se klienti i tij nuk do të dëshmojë, duke nxitur gjykatësin të udhëzojë anëtarët e jurisë se ata nuk duhet ta përdorin këtë fakt kundër Biden, shkruan VOA.
Prokurorët në gjyqin e parë penal ndaj të birit të një presidenti amerikan përfunduan të premten paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve, pas një jave, në të cilin u zbuluan hollësi intime të viteve të abuzimit me alkoolin dhe kokainën, gjë që prokurorët thonë se e bënin të paligjshme blerjen e armëve për Biden.
Hunter Biden, 54 vjeç, ka thënë se është deklaruar i pafajshëm për akuzat penale se ka gënjyer mbi varësinë nga droga në formularin qeveritar për blerjen e një pistolete “Colt Cobra” dhe posedim të paligjshëm të armës për 11 ditë.
Mbrojtja tha se të hënën Hunter Biden nuk do të dëshmonte në gjyqin e tij. Dëshmia mund të jetë e rrezikshme për të pandehurit sepse ata përballen me pyetjet e prokurorëve.
Gjyqi, që po zhvillohet në një gjykatë federale në Delauer, pason gjyqin historik ndaj ish Presidentit Donald Trump, në të cilin më 30 maj ai u shpall fajtor për 34 akuza penale. Trump pritet të jetë kandidat republikanëve për president në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, në të cilat pritet të ndeshet me Presidentin Biden.
Trump dhe disa nga aleatët e tij republikanë në Kongres kanë pretenduar se gjyqi në Nju Jork dhe tre çështjet e tjera penale ndaj tij janë përpjekje të motivuara politikisht për ta penguar kthimin e tij në pushtet.
Ligjvënësit demokratë në Kongres citojnë hetimin dhe gjyqin ndaj Hunter Bidenit si provë se Presidenti Joe Biden nuk po përdor sistemin e drejtësisë për qëllime politike apo personale.
Javën e kaluar, ish-bashkëshortja, ish e dashura dhe kunata e Hunter Biden dëshmuan për historinë e përdorimit të drogës prej tij, duke u thënë anëtarëve të jurisë se ato shpesh gjenin drogë në banesën e tij dhe ishin të shqetësuar për varësinë e tij nga droga.
Hunter Biden i tha gjykatësit që mbikëqyrte çështjen në një seancë dëgjimore të vitit 2023 se ai nuk ka konsumuar alkool ose drogë që nga viti 2019.
Avokati i Biden, Abbe Lowell, u tha anëtarëve të jurisë gjatë deklaratës së tij hapëse se klienti i tij nuk kishte ndërmend të mashtronte sepse në kohën kur bleu armën ai nuk e konsideronte veten përdorues droge.
Mbrojtja thirri tre dëshmitarë të premten, përfshirë pronarin e dyqanit të armëve dhe një punonjëse dhe vajzën e Biden, Naomi, e cila tha se babai i saj dukej se ishte mirë kur ajo e pa atë gjatë javëve para dhe pasi blerjes së armës.
Nëse shpallet fajtor, Hunter Biden përballet me një dënim prej 25 vitesh burg, ndonëse për kundërvajtjet për herë të parë shkelësit e ligjit marrin dënime shumë më të ulëta se sa parashikon dënimi maksimal. Mbetet e paqartë nëse gjykatësi do t’i japë atij dënim me burg.
Tribunal Special për t’i gjykuar liderët rusë për krimet në ...
Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të...
Momente tensioni mes Emery dhe Tielemans – trajneri e ...
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...