Ndërsa marrëdhëniet Turqi-SHBA po përmirësohen me shpejtësi, Uashingtoni i ofroi Ankarasë që ta lejojë të blejë avionët luftarakë F-35 nëse ajo heq, duke i çuar në një vend të tretë, raketat S-400 që bleu nga Rusia. Por siç njofton nga Stambolli korrespodenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, raketat mbeten një simbol i fuqishëm i thellimit të lidhjeve mes Turqisë dhe Rusisë.
Blerja nga Turqia e avionëve të avancuar F-35 nga Shtetet e Bashkuara mund të hapet sërish si mundësi. Turqia u përjashtua nga prodhimi i brezit të ri të avionëve luftarakë F-35 pasi vendosi të blejë sistemet anti-ajrore ruse të tipit S-400, që sipas Uashingtonit rrezikonin teknologjinë e avionëve F-35.
Por gjatë një vizite në Stamboll muajin e kaluar, Nënsekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, bëri të ditur se Uashingtoni mund të lejojë sërish shitjen e avionëve për Turqinë nëse raketat ruse do të largoheshin në një vend të tretë. Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan la të kuptohet se Ankaraja mund të jetë e hapur për një marrëveshje.
“Blerja e raketave ishte e pashembullt. Mendoj se disa anëtarë të qeverisë së zotit Erdogan e pranojnë se ky ishte një gabim i madh. Blerja e sistemit S-400 nga Turqia ishte një përpjekje shumë e kushtueshme”, shprehet Onur Isci nga universiteti “Kadir Has”.
Sipas analistëve, blerja e raketave S-400 nga Turqia, përbën një tregues të fortë të thellimit të lidhjeve të saj me Rusinë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin. Marrëveshja u nënshkrua gjatë një periudhe mosbesimi, pasi Ankaraja akuzoi Uashingtonin për përfshirje në përpjekjen e dështuar për grusht shtetit në vitin 2016, një akuzë që Shtetet e Bashkuara e kanë mohuar.
Lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara janë përmirësuar me ratifikimin nga Ankaraja të anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe vendimin e ndërsjelltë nga Uashingtoni për të lejuar shitjen e avionëve F-16 për Turqinë.
Por avionët F-16 janë të një rangu më të ulët se ata F-35, që fqinji dhe rivali i saj Greqia, do t’i blejë në kuadër të modernizimit të vet ushtarak.
“Në Turqi ka shqetësim se balanca e kapaciteteve të forcave ajrore mbi Egje mund të anojë nga pala greke”, shprehet Soli Ozel nga universiteti “Kadir Has”.
Sidoqoftë, analistët thonë se pranimi nga Ankaraja i mundësisë së ofruar nga Uashingtoni për avionë F-35 në këmbim të largimit të raketave të prodhuara nga Rusia, ndoshta tek aleatë të Turqisë, si Azerbajxhani apo Katari apo edhe Libia, do të varet nga përparimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
“Turqia mund të heqë dorë lehtësisht nga raketat S-400, është një vendim politik, nuk është domosdoshmëri ushtarake, është një vendim dhe kompromis politik. Deri më tani, raketat S-400 e kanë ndihmuar Turqinë të rrisë nivelin e negociatave me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shprehet Huseyin Bagci nga Instituti për Politikë të Jashtme.
Blerja e raketave ruse nga Ankaraja u pa gjerësisht si një triumf diplomatik për Moskën, duke e ndarë Turqinë nga aleatët e saj të NATO-s. Heqja e raketave, thonë analistët, do të paraqiste një fitore me rëndësi të ngjashme, për Uashingtonin./voa
Presidenca: Pretendimet për skemë apo plan të organizuar nga...
Hoxha: Bashkëpunim për avancimin e projektit evropian në Shq...
Policia ndëshkon shoferin në Prishtinë për shpejtësi, 400 eu...
FSK ndez flakadanin në kazermën “Adem Jashari” në përmbyllje...
Amerika fillon të përdorë bazat britanike për operacione kun...
Kurti: Arsimi në shqip ka qenë gjithmonë akt përkushtimi dhe...