Goran Petronijeviq, avokat i nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, do ta mbajë të premten një konferencë për media në Beograd, sipas faqes së Qendrës Mediale në kryeqytetin e Serbisë.
Mediat serbe janë duke raportuar se Petronijeviq do ta lexojë një letër të Radoiçiqit për publikun.
Kjo do të jetë hera e parë që Radoiçiq reagon publikisht, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.
Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.
Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçqit, i cili është në arrati.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.
Kush është Petronijeviq, zyrtari i autorizuar i Radoiçiqit?
Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, Petronijeviq ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.
Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.
Ai është hequr nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.
Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.
Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.
Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.
Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje- Hercegovinës.
Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.
Së fundi, ai ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase./rel
Aksident mes dy kamionëve në Leposaviq, pa të lënduar
Dosja Epstein, Clintonët sot dhe nesër dëshmojnë para Kongre...
Arrestohet një person në Vërmicë për disa vjedhje të rënda
Zhduket një i mitur në Drenas
Tentim-grabitje me thikë në një market në Lipjan
Pranuan 400 euro ryshfet, arrestohen dy zyrtar të KEDS-it në...