KPK-ja i reagon Kurtit dhe Muratit: Të ndalen sulmet dhe linçimet publike ndaj punës së prokurorëve të shtetit

18:48 | 19 Gusht 2023
Diellza Gashi

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit i Kosovës, Alin Kurti dhe ministrave të tij, mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësive, duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast.

Përmes një komunikate për media, KPK-ja ka bërë thirrje kreut ekzekutiv dhe kabinetit të tij që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës.

“KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, theksohet në reagim.

Përveç kësaj, KPK-ja ka potencuar se do të mbështesë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore që ka në dispozicion.

“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”, thuhet në reagim.

Në fund, Këshilli Prokurorial thotë se është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale