Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për t’i dhënë fund ndikimit negativ ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës.
E para e shtetit ka thënë se është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket afateve dhe procedurave lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri.
“Pasi të përfundojë kjo i takon pastaj qytetarëve në veri nëse do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë apo jo. Është esenciale që komuniteti ndërkombëtar të kërkoj nga Vuçiqi që të ndërpresë ndikimin negativ, frikësimin e qytetarëve dhe dhunën që përdoret nëpërmjet strukturave ilegale ndaj qytetarëve në veri dhe t’i lejojë ata të shfrytëzojnë të drejtat e tyre që garantohen edhe me kushtetutë edhe me ligj”, ka thënë Osmani në konferencë për media në Dragash, Behxhet Xheladini.
Ajo tutje u shpreh e bindur se qytetarët serbë dëshirojnë ta shfrytëzojnë të drejtën që përmes peticionit të shpallen zgjedhjet e parakohshme. “Këtë bindje e kam nga komunikimet që i kemi çdo ditë. Ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë në mënyrë që të kenë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i zgjedhin kryetarët e komunave që marrin votat e qytetarëve në zgjedhje të lira e demokratike. Por deri më tash nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti serb që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët. Nuk shoh nga ai vullnet që të ndërpresë dhunën që përmes strukturave kriminale vazhdimisht e ushtron ndaj qytetarëve tanë në veri. Prandaj presioni duhet të jetë në Beograd, që më në fund Beogradi të fillojë të sillet në përputhje me standardet evropiane e jo si një shërbëtor besnik i Putinit dhe vetëm i Putinit”, ka shtuar presidentja Osmani.
Presidentja komentoi edhe vizitën e kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut, pasi u pyet nga gazetarët rreth reagimit të presidentit maqedonas Pendarovskit për këtë çështje. “Maqedonia e Veriut është një prej fqinjëve më të çmuar të Republikës së Kosovës, ndër shtetet që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në momentet më kritike, një ndër shtetet më të afërta edhe fizikisht. Komunikimet mes qytetarëve tanë dhe atyre nga Maqedonia e Veriut gjithnjë kanë qenë të shkëlqyeshme dhe këto relacione janë duke u avancuar qoftë në aspektin politik edhe në atë ekonomik. Tani në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetar se çfarë ka në dorë, por natyrisht se nëse institucionet e atjeshme kanë ndonjë shqetësim, e vetmja kërkesë që ne kemi si institucione të Republikës së Kosovës është që gjithçka të bëhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së njeriut dhe mbrojtjes së komuniteteve joshumicë, duke respektuar gjithnjë rolin shtetformues të komunitetit shqiptar dhe integrimin evropian të shtetit”, ka theksuar presidentja Osmani./rtk
Dy persona dënohen me burg, pas shantazhit ndaj Heung-min So...
Rrëfehet ambasadori Christopher Hill: Pse vendosa të dëshmoj...
Dolce rikthehet në “Big Brother VIP Kosova” pas 10 ditësh në...
Man United me fitore të jashtëzakonshme ndaj Wolvesit
Trafiku Urban kompenson ditët e humbura të grevës
BE-ja gjobiti platformën X me 120 milionë euro, reagon Trump...