Jospeh: Njohja nga Ukraina do të shërbente edhe për pesëshen e BE-së

08:50 | 7 Gusht 2023
A Z

Profesori amerikan nga universiteti “Johns Hopkins”, Edward Joseph, mendon se me këtë akt të Merezhkomit, pjesë e partisë së presidentit Zelensky, Ukraina i është afruar njohjes së Kosovës.

“Nënshkruesi kryesor nuk është nga SHBA/BE, por nga Ukraina. Nëse është autentike, duke nënshkruar një letër ku thuhet ‘Kosova është një vend sovran’, Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme, ju e keni afruar Ukrainën me njohjen e Kosovës. Merezhko është një avokat i respektuar ndërkombëtar, nga partia e Zelenskyt; ky i fundit është takuar me presidenten e Kosovës në qershor”, shkroi Joseph duke kujtuar këtu takimin mes Osmanit dhe Zelensky në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

Joseph tha se njohja e Ukrainës do të shërbente edhe për pesëshen e vendeve të Bashkimit Evropian dhe katërshes së NATO-s që nuk e njohin Kosovën të ndryshojnë qëndrim.

“Menendez, Titus, Torres mund të përparojnë mesazhin e tyre të fuqishëm duke i kërkuar administratës së Bidenit që t’i kërkojë Kievit të njohë Kosovën – duke kufizuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan, duke i dhënë fund Beograd-centrizmit në politikën e Ballkanit dhe duke i liruar serbët e Kosovës nga përdorimi si pengje”, shkroi Joseph./rtk