Ambasada hedh poshtë akuzat e Gashiqit se vrasësi i Ivanoviqit është nën mbrojtjen gjermane

11:34 | 22 Qershor 2023
E.H

Ambasada e Gjermanisë në Serbi ka njoftuar se Qeveria Federale nuk ka dijeni se kush e vrau Oliver Ivanoviqin më 16 janar 2018.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzën se autori është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane. Qeveria Federale nuk e ka pranuar kërkesën e autoriteteve serbe për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për N1, transmeton Arbresh.info.

Kujtojmë se ministri i Policisë, Bratislav Gashiq, të mërkurën ka thënë se dihet se kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit dhe nën mbrojtjen e kujt ndodhet.

“Ne e dimë saktësisht se kush është vrasësi dhe kemi kërkuar nga autoritetet gjermane të na japin informacion. Kemi fotografi nga aeroporti i Tiranës kur ka zbritur, kur ka hyrë në Prishtinë, në banesë”, tha Gashiq në Kuvendin e Serbisë, duke shtuar se kjo ka qenë rezultat i punës së përbashkët të Prokurorisë për Krim të Organizuar, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe BIA-s.