Kurti: Policët u kidnapuan thellë në Kosovë, në vendngjarje janë gjetur pranga plastike e gjurmë të çizmeve të huaja në drejtim të Serbisë

09:24 | 15 Qershor 2023
A Z

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se në vendin e ngjarjes ku janë kidnapuar tre policë të Kosovës kanë qenë edhe KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

Ai tha se në vendngjarje janë gjetur gjurmë të çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë, teksa tha se është i befasuar me heshtjen e faktorëve ndërkombëtarë për tolerancën ndaj veprimeve të Serbisë.

“Në vendin e ngjarjes, kanë qenë KFOR-i e Policia e Kosovës. Aty janë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë. Por, janë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e plastikës si pranga janë gjetur në vendin ku po themi ne, 1 kilometër brenda territorit të Kosovës”.

“Serbia s’ka ndryshuar në qëllime, synime e apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj, por ajo çka është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim, e kur nuk ka atëherë është e gatshme dhe e aftë t’i krijojë ato”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se vazhdon të jetë i habitur me faktin që KFOR-i ende s’ka dalë zyrtarisht me deklaratë, ndonëse ka qenë në vend të ngjarjes.

“Është kuptimi që të nesërmen e një ngjarjeje që ishte në mesditë, KFOR-i s’del me njoftim zyrtar se ku është ky vend. Ky vend qartazi është në Kosovë. Edhe automjeti, edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në Kosovë”, tha Kurti.