Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë vizituar sot segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugën e asfaltuar në hyrje të Dragashit dhe kanë takuar po ashtu Kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini dhe zyrtarin komunal për komunitete dhe kthim, Uzair Hamza.
Në fjalën e tij, kryeministri i ka falënderuar qytetarët e Dragashit për bashkëjetesën atje, por edhe kryetarin, si dhe të gjitha partitë politike të cilët bashkëpunojnë dhe në këtë mënyrë mundësojnë jetën e mirë.
”Dragashi ka nevojë për më shumë investime dhe prandaj ne po përpiqemi që të bëjmë sa më shumë infrastrukturë. Do ta përfundojmë edhe rrugën e cila e lidh Restelicën me kufirin me Maqedoninë e Veriut, me komunat e Mavrovës dhe të Gostivarit atje”, është shprehur Kryeministri Kurti.
Ai tha se sot paradite me ministrin, Nenad Rashiq, ishin bashkë në Ferizaj, për vendosjen e gurthemelit të shtëpisë së një familjeje gorane me prejardhje nga Dragashi e cila i ka 11 anëtarë, dhe tash po bëhet me shtëpi.
Ndërkaq, Ministri Aliu tha se sot bashkë me Kryeministrin Kurti, kolegë e bashkëpunëtorë, vizituan punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugëve që tashmë kanë marrë një dinamikë të re të zhvillimit të punimeve. Ai tregoi se kjo rrugë është e ndarë në dy Lote, Lot 1: Zhur – Dragash dhe Lot 2: Dragash – Brod, me vlerë të përgjithshme prej: 7,731,053.31 EUR.
Realizimi i punimeve deri më tani ka përfunduar rreth 70%, dhe pritet që të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve deri në vitin e ardhshëm.
Kryeministri gjatë vizitës në Komunën e Dragashit pati takim edhe me Kryesuesin e Asamblesë komunale, Uran Halimi dhe përfaqësues të komunës.
Dragashi është komuna me përqindjen më të lartë të komuniteteve jo shumicë, rreth 41%.
Ndërkaq, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndihmuar këtë komunë përmes thirrjeve të ndryshme për komunitetet, ku 3 milionë euro janë ndarë për fermerët dhe prodhuesit e vegjël, për OJQ-të që ndihmojnë në punësimin e komuniteteve dhe për vende pune në biznese të reja dhe ato ekzistuese./Arbresh.info/



U shpall shtet sponsor i terrorizmit – Çfarë përmban rezolut...
Orav: BE-ja qëndron përkrah Kosovës
Konjufca mirëpret heqjen e masave ndaj Kosovës: Presim progr...
Vrasja në Gjakovë, prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim ndaj...
U kap me 100 gramë drogë në Morinë nga policia e Shqipërisë,...
FSHF zbulon programin e Kombëtares nga shpallja e listës der...