Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, njëherësh Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Bujar Osmani, vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.
Atje, vizituan kadetët e gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës dhe të Shërbimit Korrektues, të cilët aktualisht po mbajnë trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Kjo vizitë sipas kryeministrit është falënderim për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kryesues i radhës i së cilës është pikërisht z. Bujar Osmani, si dhe falënderim për stafin e kadetët e rinj.
“Ne vizituam tri klasë të ndryshme, ku kadetët e të dy gjinive dhe të të gjitha komuniteteve mësojnë bashkë, ushtrojnë bashkë, në mënyrë që bashkërisht t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, religjioni, prejardhjeje apo tjetër fare”, u deklarua kryeministri Kurti.
Kryeministri i ka përgëzuar kadetët për gatishmërinë që t’ju shërbejnë qytetarëve, si dhe ka përgëzuar Akademinë për diversitetin e kadetëve, në mesin e të cilëve përfaqësohen të gjitha komunitetet e Kosovës. Kjo është arritur përmes programit me komunitetet në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ekipi Ndërinstitucional i themeluar vitin e kaluar nga Qeveria për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Përqindja e grave që kanë aplikuar në Policinë e Kosovës viteve të fundit është rritur deri në 18% ndërkaq, në thirrjen aktuale deri më tani kanë aplikuar mbi 180 qytetarë nga komunitetet jo shumicë. Kjo gjeneratë, pra gjenerata e 58-të, që ka filluar trajnimin në prill të këtij viti, ka gjithsej 421 kadetë prej të cilëve 1/5 janë nga komunitetet jo shumicë.
Duke falënderuar ministrin Osmani për vizitën, ai shtoi se sundimi i ligjit, siguria, të drejtat e njeriut dhe demokracia, janë vlerat që bashkojnë Republikën e Kosovës dhe OSBE-në.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se vizita e tij në Kosovë në kapacitetin e kryetarit të radhës të OSBE-së për të shënuar produkte të suksesshme të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe Qeverisë së Kosovës, është pikërisht kjo Akademi për Siguri Publike, e cila plotëson të gjitha objektivat e OSBE-së.
Në këtë vizitë, përveç kryeministrit Kurti dhe ministrit Osmani, të pranishëm ishin edhe Zëvendësministri i Brendshëm, Blerim Gashani, Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në vendin tonë, Shpresa Jusufi, si dhe Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport./Arbresh.info/
KESCO: Prodhimi i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufi...
Protestë para Kuvendit, qytetarët kërkojnë fundin e ngërçit ...
Limaj para seancës së 35-të: Është koha që qytetarët të shik...
Lewandowski pranon t’i bashkohet Superligës së Arabisë Saudi...
Pakistani nominon Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen
22 të dyshuar për spiunazh për Izraelin bien në prangat e po...