Borrell: Të mbarojnë provokimet, rruga e vetme e normalizimit është zbatimi i marrëveshjes

17:58 | 22 Maj 2023
Emir Abduramani

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar sot se rruga e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është nëpërmjet zbatimit të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Këto komente, Borrell i dha gjatë deklarimit të tij për media pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit”, deklaroi Borrell.

Ai theksoi se provokimet dhe tensionet mes dy vendeve duhet të marrin fund.

“Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë. Atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Borrell bëri të ditur që në takimin e sotëm u fol për shtetet që kanë refuzuar t’i vënë sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Serbia është një nga këto shtete, teksa Borrell për të tha se lidhja e tyre me Rusinë nuk është në përputhje me aspiratat e tyre për anëtarësim në BE./Arbresh.info