Mundësitë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës deri në fund të këtij viti, janë mjaft të mëdha.
Kështu thonë analistë politikë e njohës të zhvillimeve politike në vend. Ata thonë se Kosova në masë të madhe i ka të plotësuara kriteret për anëtarësim, prandaj një gjë e tillë edhe mund të ndodhë pa vonesa të mëdha.
Pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit të kaluar, Kosova të hënën e 24 prillit bëri një hap të rëndësishëm në drejtim të anëtarësimit në këtë organizatë evropiane. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës, pasi pro votuan 33 nga 46 vendet anëtare.
Marrë parasysh këtë votim dhe rrethanat e krijuara pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është i mundur, vlerësojnë analistë politikë e njohës të integrimeve.
Në një prononcim për Radio Kosovën, politologia, Arta Tahiri thotë se deri në fund të vitit, Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Kosova pothuajse në masën më të madhe i ka të plotësuara kriteret që kërkohen për të qenë pjesë e kësaj organizate. Këshilli i Evropës është organizatë që mbron të drejtat dhe liritë e njeriut. Institucionet tona në vazhdimësi po dëshmojnë një respektim të jashtëzakonshëm të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve. Prandaj, anëtarësimin e Kosovës e shoh si një mundësi të jashtëzakonshme dhe të mundur brenda vitit 2023”, tha ajo.
Përveç dritës jeshile që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës tashmë ka dhënë për anëtarësimin e Kosovës, sipas analistit politik Artan Muhaxhiri, edhe zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, do të ndikojnë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Me vetë faktin se kemi pasur përparim të madh në dialog, atëherë rrjedhimisht janë hapur edhe dyert për pranimin e Kosovës në këtë institucion evropian. Unë mendoj se deri në fund të vitit, shteti ynë do të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. E them këtë pasi edhe përkrahja për ne është maksimale. Por, gjithsesi një rol të madh e luan edhe mungesa e Rusisë”, tha Muhaxhiri.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Aktualisht i ka 46 anëtarë. 7 prej tyre votuan kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Në mesin e shteteve që votoi kundër ishte edhe Serbia, e cila me këtë veprim shkeli marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel, ku mes tjerash thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizata ndërkombëtare.
Aksioni në Agjencinë Kadastrale, prangosen pesë persona për ...
Dy kosovarë dyshohen për vepra penale në Vjenë, bastisje në ...
Prestianni mund të humbasë dy ndeshjet e para të Botërorit
Koundé: Vinicius është rivali që më ka bërë të vuaj më shumë
Aksident mes trenit dhe një makine pune në Klinë – një perso...
Homazhe për Servet Pëllumbi, Edi Rama: Si student para profe...