Ka filluar seanca ndaj Nagip Krasniqit, pritet caktimi i masës së sigurisë

15:25 | 20 Prill 2023
Emir Abduramani

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë në lidhje me dyshimet për kryerjen e tri veprave penale.

Lajmin për fillimin e seancës dëgjimore e ka konfirmuar për Arbresh.info zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ajo tha se seanca ka filluar gjatë ditës së sotme dhe se një vendim pritet ta marrë sot gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit.

Më herët, PSRK-ja ka kërkuar paraburgim për Krasniqin, nën dyshimin se ka kryer veprat penale: ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.

Për këto vepr penale, ai u arrestua të mërkurën në zyret e KEK-ut në Prishtinë.

Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria./Arbresh.info

Të ngjashme