India pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë deri në mesin e këtij viti, me pothuajse tre milionë banorë më shumë, sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Popullsia e Indisë do të numërojë 1.4286 miliard banorë në mesin e vitit 2023, krahasuar me atë të Kinës prej 1.4257 miliard banorësh, ka treguar një raport i Fondit të OKB-së për Popullsinë, i publikuar më 19 prill.
Numri i banorëve në Kinë është tkurrur për herë të parë që nga viti 1960, kur miliona njerëz vdiqën nga uria, për shkak të politikave katastrofike bujqësore të ish-udhëheqësit Mao Zedong.
Shumë njerëz kanë vlerësuar se përgjegjës për ngadalësimin janë rritja e kostos së jetesës, si dhe rritja e numrit të grave të punësuara dhe me arsimim të lartë, raporton AFP.
Pekini ka ndërprerë më 2016 politikën e rreptë “një fëmijë”, të vendosur në vitet e 1980-ta, mes frikës nga mbipopullimi, dhe nga viti 2021 ka filluar t’u lejojë çifteve të kenë tre fëmijë.
India nuk ka të dhëna të reja zyrtare se sa banorë i ka, sepse nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011.
Regjistrimi, që India e bën një herë në dekadë, ishte paraparë të kryhej më 2021, por është shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kritikët thonë se qeveria po e shtyn qëllimisht regjistrimin, për të fshehur të dhënat për çështje të nxehta, si papunësia, para zgjedhjeve kombëtare, që parashihen të mbahen vitin e ardhshëm.
Sipas qendrës hulumtuese Pew, popullsia e Indisë është rritur për më shumë se një miliard banorë që nga viti 1950, kur OKB-ja filloi të mblidhte të dhëna për popullsinë.
Haradinaj zbulon se iu ka bërë ftesë Hamzës e Abdixhikut për...
Parashikimi i motit për të premten
Nis emërimi i zëvendësministrave, Daulina e para
Benita e bindur se jashtë BBVK-së do jetë shoqe me Elijonën
Rezoluta për Hagën, buxheti dhe komisionet – vendimet e para...
Trump pret që marrëveshja me Iranin të marrë formë gjatë mua...