Petkoviq: Asociacioni është shtylla kurrizore e dialogut

09:39 | 19 Prill 2023
Emir Abduramani

Drejtori i të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, Prishtina ende refuzon të përmbushë obligimin e saj kryesor – formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Ai tha për RTS se komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi të veçantë për një situatë të tillë.

Petkoviq thekson se Asociacioni është një kusht i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta dhe është sjellë në mënyrë konstruktive dhe komprometuese gjatë gjithë kohës, ndërsa nga ana tjetër, Prishtina vazhdimisht po përpiqet të pengojë dialogun dhe t’ua vështirësojë jetën serbëve në Kosovë”.

“Kur shikon gjithçka që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, një përgjegjësi e veçantë ka komuniteti ndërkombëtar, i cili është i detyruar të bëjë presion mbi themelimin e Asociacionit. Asociacioni përfaqëson shtyllën kurrizore të dialogut”, shtoi ai./Arbresh.info