Giroud ka fituar çmimin si lojtar i ndeshjes ndaj Anglisë

07:10 | 11 Dhjetor 2022
K.B

Franca po e vazhdon me sukses rrugëtimin për ta mbrojtur titullin e kampionit të botës, ku tani ka prekur fazën gjysmëfinale të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Kombëtarja e Francës e ka eliminuar Anglinë në çerekfinale të këtij Botërori, pasi që e mposhti me rezultat të ngushtë 2L1 në stadiumin “Al Bayt”.

Fillimisht, rezultatin i pari e zhbllokoi mesfushori Aurelien Tchouameni, i cili kaloi Francën në epërsi prej 1:0 në minutën e 17’.

Anglia arriti të rikthehet në lojë duke e barazuar rezultatin në 1:1 përmes Harry Kane, i cili shënon nga penalltia në minutën e 54’ të ndeshjes.

Francezët e rikthyen përsëri epërsinë, ku Olivier Giroud shënoi në minutën e 78’ të ndeshjes për 2:1.

Ndërkaq, Harry Kane i Anglisë e kishte mundësinë e artë për ta dërguar ndeshjen drejt vazhdimeve, por që dështoi të shënonte nga penalltia në minutën e 84’ të ndeshjes.

Me këtë fitore, Franca vazhdon në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ku atje e pret Kombëtarja e Marokut, e cila e eliminoi sot Portugalinë me shifrat 1:0.

Më i miri i ndeshjes u zgjodh golashënuesi i golit të fitores për Francën, Olivier Giroud.

Shpërndaje në rrjete sociale