Ka ndërruar jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Sokol Hadri.
Hadri ka qenë futbollist i shquar i viteve të 70-ta dhe 80-ta në qytetin e Prizrenit dhe jo vetëm.
Si një mbrojtës solid, përveç Lirisë, ai ka luajtur edhe për Besën e Pejës dhe Prishtinën, nga ku i dha fund karrierës së pasur në vitin 1985.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, ka dalë me një telegram ngushëllimi për familjen e Hadrit, përcjell arbresh.info.
Pas shprehjes së ngushëllimeve, Ademi theksoi se Hadri ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e futbollit të Kosovës, dhe se ishte pjesë e gjeneratës së “artë” të viteve 70-ta dhe 80-ta.
Ai shkroi se Hadri ka qenë model për të gjithë të rinjtë prizrenas, dhe në përgjithësi të Kosovës.
Në fund, Ademi vlerësoi se si njeri me virtyte të larta, Hadri është një humbje e madhe për futbollin në Kosovë dhe do të kujtohet dhe vlerësohet gjithmonë për kontributin e tij./arbresh.info
Njoftimi i plotë i FFK-së:
“Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Sokol Hadrit
E nderuara Familje Hadri!
Me pikëllim të thellë e zemërthyer e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Sokol Hadri, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.
Sokolin e thërrisnim Legjendë, sepse ishte dhe do të mbetet përherë i tillë.
Kontributi i tij për futbollin ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai ishte pjesë e gjeneratës së futbollistëve të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme dhe e ndihmuan futbollin e Kosovës të marrë hov të madh të zhvillimit në vitet 70-ta e 80-ta.
Si një mbrojtës korpulent, Sokoli u shqua për vendosmëri, por edhe për korrektësi maksimale në fushën e gjelbër.
Karrierën e filloi në skuadrën e Lirisë, aty, ku e dha edhe kontributin e tij më të madh dhe e përmbylli karrierën në vitin 1985, teksa me plotë sukses luajti edhe për ish-Buduçnostin e Pejës (Besën e tanishme) dhe për Prishtinën.
Me paraqitjet e tij la gjurmë në futbollin e Kosovës, duke u shndërruar në model për shumë breza të rinj prizrenas dhe jo vetëm.
Sokoli edhe pas përfundimit të karrierës nuk iu nda asnjëherë futbollit, teksa për një periudhë ishte edhe kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prizrenit, ku me përvojën dhe dashurinë e tij për futbollin nxiti zhvillimin e talenteve të kësaj treve.
Sokol Hadri u dallua për virtyte të larta intelektuale, humane e sportive. Ai, ishte ndër punëtorët më të dalluar sportivë që kishte Kosova. Familja humbi kryefamiljarin dhe njeriun më të dashur, derisa komuniteti i futbollit mbeti pa njërin ndër personalitetet më të shquara, të cilin përherë do ta kujtojë me pietet dhe do ta vlerësojë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.”.
Tribunal Special për t’i gjykuar liderët rusë për krimet në ...
Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të...
Momente tensioni mes Emery dhe Tielemans – trajneri e ...
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...