Maqedonia e Veriut po përcjell me vëmendje zhvillimet në veri të Kosovës, Osmani kërkon zgjidhje “me njohje të ndërsjellë”

17:41 | 7 Nëntor 2022
KRG

Përkeqësimi i mëtutjeshëm i situatës mund të përbëjë sfidë serioze për stabilitetin e rajonit, ka thënë kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha se po përcjell me vëmendje zhvillimet në pjesën veriore të vendit.

Maqedonia e Veriut është fqinje e drejtëpërdrejtë e Kosovës dhe Serbisë, andaj Osmani tha se apelojnë te të dyja palët për vetëpërmbajtje.

Reagimi i plotë:

Republika e Maqedonisë së Veriut po ndjek me kujdes situatën në veri të Kosovës, përkeqësimi i mëtutjeshëm i së cilës mund të përbëjë një sfidë serioze për stabilitetin e rajonit.

Si fqinjë të drejtëpërdrejtë të dy vendeve, apelojmë që të përmbahen nga aktivitetet që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës, ftojmë për kthim në institucionet e sistemit dhe vazhdimin aktiv dhe të menjëhershëm të dialogut që ne mbështesim dhe inkurajojmë fuqishëm.

Gjetja e një zgjidhjeje të përhershme që do të sigurojë njohje reciproke dhe një të ardhme evropiane për të dyja vendet, është e vetmja rrugë për një normalizim afatgjatë të marrëdhënieve që është me interes jo vetëm për të dyja palët, por edhe për të gjithë rajonin.

Shpërndaje në rrjete sociale