Shqipja është gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni, ku janë etniteti i dytë më i madh në vend, por 13 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, shqipja vazhdon të mbetet më shumë një gjuhë e folur, pasi nuk zbatohet zyrtarizimi i saj nëpër institucione, njofton agjencia e lajmeve INA.
Studiuesi Arsim Sinani në librin e tij sjell dhe dy anketa të bërë me qytetarët dhe me punonjës të administratës në disa qytete me shumicë shqiptare, për të treguar problemet që hasen me përdorimin zyrtar të shqipes në shtetin fqinj. “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, botuar nga UET-Press, promovohet sot. Ky libër sjell një analizë të ftohtë të problemeve me të cilat po haset shqipja në Maqedoni. Një pjesë të studimit të Sinanit e zë dhe anketa me qytetarët, që sjell të dhëna shumë interesante për të parë në terren se çfarë ndodh me “zyrtarizimin” e shqipes, a përdoret ajo në institucione siç do të duhej etj.
Në anketë janë përfshirë tri etnitetet më të mëdha që jetojnë në këtë hapësirë: 81% shqiptarë, 12% maqedonas, 6% turk dhe 1% të tjerë.
Nga përgjigjet e pyetësorit, ai ka arritur të sjellë një analizë të situatës në të cilën ndodhet shqipja zyrtare sot në Maqedoni. Shifrat flasin vetë dhe tregojnë se gjuha shqipe është më shumë një gjuhë e folur mes komunitetit shqiptar, sesa realisht një gjuhë e zyrtarizuar në institucione. Të pyetur se në cilën formë e përdorni shqipen gjatë komunikimit institucional, të anketuarit kanë dhënë përgjigjet me sa vijon: 63%
e të anketuarve janë përgjigjur “gjatë komunikimit verbal, 25% e të anketuarve nuk kanë përgjigje, 12% e të anketuarve janë përgjigjur me komunikimin me shkrim”. Pra shumica e të anketuarve, 63% e tyre, e kanë më të lehtë të komunikojnë me pushtetin vendor
nëpërmjet komunikimit verbal, ndërsa 25% e të anketuarve nuk kanë përgjigje, kurse sipas 12% të të anketuarve, komunikimi me shkrim është më i preferuar. Në një tjetër grafik të studimit vihet re se komunikimi me pushtetin qendror është i kufizuar, respektivisht i kufizuar vetëm në gjuhën maqedonase. 57% e të anketuarve nuk e përdorin gjuhën shqipe gjatë komunikimit me pushtetin qendror, 22% vetëm pjesërisht e përdorin, kurse 21% e përdorin gjuhën shqipe gjatë komunikimit me pushtetin qendror.
Qytetarët kanë shprehur mendimin e tyre rreth faktorëve të cilët pengojnë jetësimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore si gjuhë e dytë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. 52% e të anketuarve janë të mendimit se faktori kryesor për pengimin e jetësimit të gjuhës shqipe nëpër institucionet si gjuhë e dytë zyrtare në RM është mungesa e vullnetit politik; 18% e të anketuarve janë të mendimit se mosaftësimi i administratorëve paraqet pengesë serioze për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore, 15% e të anketuarve janë të mendimit se pengesa për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucione janë mjetet financiare, 14% e të anketuarve janë të mendimit se mungesa e përvojës institucionale paraqet pengesë për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore, kurse vetëm 1% e të anketuarve janë të mendimit se pengesa kryesore për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore është shteti maqedonas.
Ky libër sjell shumë dokumente arkivore dhe të dhëna të tjera për këtë çështje dhe e analizon në thellësi atë.
Tezat në librin e Sinanit
Statusi politik dhe juridik i gjuhës shqipe në RM
Lufta e vitit 2001 dhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit
Gjuha shqipe në labirintin e pafund legjislativ
Implikimet praktike të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të RM-së
Modele komparative të përdorimit të dy gjuhëve në vende të ndryshme
Punonjësi i Pallatit Élysée vjedh enët e përdorura nga Macro...
I dyshuar për grabitje në Ohajo, një person tenton të qëlloj...
“T’kom djalë vallahi” – takim i veçantë i Kurtit me lo...
Pas 15 vjetësh, Japonia drejt rindezjes së centralit më të m...
Incidenti me pije, sqarohen Labi dhe Klodi
Gjykata Themelore shqyrton rastin e tre serb të akuzuar për...