FBK-ja i ndalon udhëtimet e tifozëve mysafirë në basketbollin kosovar

14:52 | 27 Tetor 2022
KRG

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur që ta ndalojë udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23.

Siç njofton shtëpia e basketbollit kosovar, ky vendim do të vlejë vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga FBK-ja (si Superkupa, Final 8 etj).

“Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar ta marrë një vendim të tillë, duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen, atëherë Bordi ka vendosur të ndërmarrë masa në këtë drejtim. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij. Në emër të Bordit të FBK-së, Arben FETAHU Kryetar”, njofton FBK-ja.

Në ndeshjen e fundit të basketbollit ndërmjet Vëllaznimit dhe Trepçës, që u luajt në Gjakovë, u vërshëllye himni shtetëror i Kosovës, ndërsa u dogj edhe një flamur i Serbisë dhe u shpalos një parullë politike, mbështetëse për Mitrovicën.

Fenomeni i fishkëllimit dhe kontestimit të himnit shtetëror të Kosovës ka nisur të bëhet fenomen në basketbollin kosovar.

Shpërndaje në rrjete sociale