Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar për 27 tetor takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
Siç ka njoftuar kabineti i Vuçiqit, takimi do të mbahet në orën 09:00. Pas takimit me serbët e Kosovës, në ora 10:00 pritet të mbahet edhe një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, organ që mbledh përfaqësues të sektorit ushtarak dhe të sigurisë.
Ky takim u thirr pasi që Lista Serbe kërkoi që të takohej me Vuçiqin për shkak të çështjes së riregjistrimit të targave në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se deri më 31 tetor, të gjithë qytetarët që kanë targa të lëshuara nga Serbia, duhet t’i konvertojnë në RKS – Republika e Kosovës.
Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.
Më 31 tetor pritet të skadojë afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.
Besohet se afër 10.000 makina me targa me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ, PR – qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.
Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa të tilla nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit.
“Deklaratat e fundit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit, qartazi janë tregues se nuk ka vullnet në Prishtinë për të gjetur zgjidhje dhe kompromis, por vetëm dëshirë për të shkaktuar kriza dhe tensione, veçanërisht në veri të Kosovës dhe Metohisë. Populli serb në Kosovë i beson shtetit të tyre, Serbisë, dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, dhe kërkojmë që të takohemi për t’u përballur me sfidat që na presin”, u tha në deklaratën e Listës Serbe./REL
IKSHPK: Monitorimi vazhdon, probleme me ujin në disa zona në...
Bislimi: Nga nesër nis zbatimi i ligjit për të huajt dhe aut...
“Ja ha zemrën”, thotë Elijona për Klodin
Arrestohet personi që shtyeu djegien e Gate Club
Rinumërohen 159 nga 914 vendvotime
Ambasadori italian, homazhe në Reçak: Angazhimi për drejtësi...