Komandanti i KFOR-it në Beograd, takon shefin e ushtrisë së Serbisë

22:38 | 24 Tetor 2022
KRG

Komandanti i misionit të KFOR-it gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, së fundi u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, gjeneralin Milan Mojsilovic, në Beograd.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e këtij misioni të dy diskutuan për situatën e sigurisë dhe nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në dobi të stabilitetit rajonal.

Ata folën edhe për stërvitjen rutinë “Manovrat 2022” të organizuar nga Forcat e Armatosura të Serbisë që po zhvillohet aktualisht, ushtrim i cili do të zgjasë deri më 6 nëntor.

“Gjeneralmajor Ristuccia theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ai shtoi se KFOR-i vazhdon të ofrojë kornizën e sigurisë të nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.

Shpërndaje në rrjete sociale