Busquets drejt largimit nga Barca

10:10 | 21 Shtator 2022
Emir Abduramani

Kapiteni i Barcelonës, Sergio Busquets, me shumë gjasë pritet që ta mbyllë kapitullin e tij te Barcelona në fund të këtij sezoni.

34-vjeçarit i përfundon kontrata në qershor të vitit 2023, dhe pas negociatave me klubin për vazhdimin e asaj kontrate, sipas gazetës spanjolle “Sport”, Busquets është i pakënaqur nga oferta e re nga klubi i Barcelonës, përcjell arbresh.info.

Aktualisht, Busquets është ndër lojtarët më të paguar në klub dhe kontrata e re parasheh një ulje të madhe të pagës për të, për shkak të kushteve ekonomike të katalanasve.

Në rast largimi nga “Camp Nou”, ai pritet të kalojë në ShBA në klubin e David Beckham, Inter Miami në MLS.

E gjithë karriera e mesfushorit ka qenë e lidhur me Barcelonën, ku Busquets është pjesë e ekipit të parë që nga viti 2008, ku numëron 685 ndeshje deri më tani, ndërsa deri në fund të sezonit me siguri se do ta kalojë shifrën e 700 paraqitjeve për Barca-n, gjë që e kanë arritur vetëm dy legjendat tjera të këtij klubi, Messi dhe trajneri aktual, Xavi.

Shpërndaje në rrjete sociale