Komisionari për buxhet i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, është i bindur se Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Ukrainës mbështetjen e nevojshme financiare deri në fund të këtij viti, por u ka kërkuar vendeve anëtare që ta rrisin ndihmën financiare për vitin 2023, pasi “lufta ka shumë të ngjarë të vazhdojë ende”.
Kështu tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 9 shtator, para një takimi jozyrtar të ministrave të financave të BE-së në Pragë.
“Aktualisht, ne po flasim për 5 miliardë si kredi dhe sugjerimi ynë do të ishte që 3 miliardë [euro] të tjera të jenë grante. Kjo është pikërisht ajo që po diskutojmë. Por përsëri, kam besim se ne mund ta ofrojmë këtë mbështetje financiare”, tha ai.
I pyetur se a mjafton kjo për Ukrainën, Hahn tha se ndihma e BE-së do të vazhdojë sepse BE-ja e ka obligim këtë.
“Deri në fund të vitit, sipas miqve tanë ukrainas, kjo do të mundësonte financimin e nevojave të tyre”.
“Por pyetja e vërtetë është se si të financohet Ukraina në rast – dhe ka shumë të ngjarë që të jetë kështu – që lufta vazhdon edhe vitin tjetër. Ne duhet të mbështesim Ukrainën, sepse Ukraina po mbron jo vetëm veten, por edhe ne, vlerat tona. Dhe kjo është arsyeja pse ne e kemi obligim t’i mbështesim ata”, tha Hahn.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 gusht, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Putini ka gabuar duke besuar se Perëndimi nuk do të jetë i bashkuar dhe nuk do ta mbështesë Ukrainën.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën aq sa është e nevojshme”, tha ai.
Mbështetje për “aq kohë sa është e nevojshme” kanë premtuar disa herë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /rel
Ambasada e SHBA-së në Bagdad sulmohet me raketë, goditet hel...
Kurti shtroi iftar për myftiun Tërnava
Therje me thikë në Prishtinë, policia jep detaje mbi rastin
Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë bisedime pas përshkallëz...
Tri vetura përfshihen në një aksident në rrugën Prishtinë-Li...
BE: Serbia të zgjedhë mes Rusisë dhe Evropës