Shpërndahen tekstet mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore në Luginën e Preshevës

08:59 | 6 Shtator 2022
K.B

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mundësuar pajisjen me tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencave, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shpërndanë tekstet mësimore për nxënësit në shkollat fillore ”Muharrem Kadriu” në fshatin Tërnoc i Madh në Bujanoc dhe ”Zenel Hajdini” në fshatin Raincë në Preshevë.

”Është e rëndësishme që ajo çfarë ka munguar më herët në fushën e arsimit, si furnizimi me tekstet mësimore në gjuhën shqipe, të mos mungojë për brezat e ardhshëm dhe të kenë tekstet në gjuhën e tyre”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Z. Bislimi dhe znj. Nagavci shprehën kënaqësinë e veçantë të ndarjes së këtyre teksteve për herë të parë në Luginën e Preshevës. Drejtorët e këtyre shkollave i mirëpritën dhe shprehën mirënjohje për këtë iniciativë të Qeverisë dhe vlerësuan lartë kontributin e dhënë. Nga to, u pranuan dhurata simbolike, si libra dhe literaturë në gjuhën shqipe, të shkruar nga autorë nga Lugina e Preshevës.

Vlera e vënë në dispozicion për sigurimin e teksteve kap shifrën e 255 mijë eurove. Në këto vizita, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministrja Nagavci u shoqëruan nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale