Hungaria nuk do të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë

21:40 | 16 Shkurt 2022
A Z

Gargely Gulyas, shefi i kryeministrit hungarez Viktor Orban, ka deklaruar se Hungaria nuk do të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency.

Në një konferencë për media, Gulyas tha se kryeministri Orban udhëzoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes të përgatisin një plan veprimi për një valë të mundshme refugjatësh nga Ukraina.

Duke theksuar se Hungaria mund të pranojë dhjetëra mijëra refugjatë, Gulyas tha se qeveria supozoi se shumica e refugjatëve do të zgjidhnin Poloninë, ndërsa pakica hungareze që jeton në Ukrainë dhe ukrainasit në ato rajone do të zgjidhnin Hungarinë.

Rreth 150 mijë hungarezë jetojnë në Ukrainë.

Tensionet Rusi-Ukrainë

Së bashku me pushtimin e Krimesë, në vitin 2014 Rusia filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë të cilën ajo e ka mbajtur që atëherë.

SHBA, me aleatët e saj evropianë, që nga nëntori i kaluar ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet për agresion kundër Ukrainës pasi grumbulloi mbi 100 mijë trupa dhe aparaturë të rëndë brenda dhe rreth fqinjit të saj.

Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Dje, dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit, votoi për njohjen si shtete të pavarura rajonet separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.