Nigeria për shkak të vjedhjes së naftës në vit humb 4 miliardë dollarë

13:54 | 4 Shkurt 2022
A Z

Nigeria, një vend i pasur me naftë dhe gaz natyror, humb katër miliardë dollarë në vit për shkak të vjedhjes së naftës, transmeton Anadolu Agency.

Gbenga Komolafe, kryetar i Komisionit rregullator për prodhim të naftës së Nigerisë (NUPRC), tha në një deklaratë se vendi po humb rreth 150.000 fuçi naftë në ditë për shkak të kriminelëve që përdorin ilegalisht tubacionet e naftës.

Siç tha ai, me çmimet aktuale vendi humbet rreth katër miliardë dollarë në vit.

Duke vënë në dukje se administrata e presidentit nigerian, Muhammad Buhari, ka miratuar masat për të ndaluar aktivitetet e paligjshme në sektorin e naftës, Komolafe tha se së shpejti do të parandalohen aktivitetet e paligjshme që lidhen me vjedhjen e naftës.

Komolafe shtoi se qëllimi i tyre është të rrisin prodhimin aktual ditor të naftës në rreth tre milionë fuçi.

Nigeria, e cila ka gati 37 miliardë fuçi rezerva nafte, ka 3,1 për qind të rezervave botërore.

Nigeria, e cila është ndër 15 vendet në botë për sa i përket prodhimit të naftës së papërpunuar, është vendi i tetë me rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe i gjashti për sa i përket eksporteve të naftës.