Vrasja e Marigona Osmanit më e rëndë nga paslufta, detaje rrëqethëse nga avokati i familjes

19:56 | 22 Janar 2022
A Z

Gjashtë muaj pas arrestimit të dy dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçarës, Marigona Osmani, Prokuroria Themelore në Ferizaj akoma nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, raporton arbresh.info.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për arbresh.info pa dhënë ndonjë arsye për mos ngritjen e aktakuzës.

“Referuar kërkesës suaj me pyetje, ju njoftojmë se lidhur me rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 17 Janar 2022, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve D.K., dhe A.S. Ndërsa, lidhur me këtë rast, ende nuk është ngritur aktakuza dhe në momentin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të njoftoj me kohë opinionin publik”, thuhet nga Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Në një intervistë për arbresh.info, avokati i familjes së tashmë të ndjerës Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi  tha se vdekja e viktimës ka qenë e ngadalshme, e që nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është cilësuar si politraum

Ndërkaq përmes informacioneve zyrtare Rexhepi tha se viktima ishte dërguar e vdekur në spital siç e quan ai e ftohet.

“Nga prokuroria jemi njoftuar se janë në pritje të disa rezultateve të ADN-së, dhe po presin me u kthy. Vdekja e Marigonës ka qenë e ngadalshme në bazë të këtyre dokumenteve tash që i kemi edhe në bazë të informacioneve po ashtu edhe në bazë të diskutimeve me nënën e të ndjerës Marigona Osmani, e kjo vrasje konsiderohet si vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, pasi që është vrasje shumë e ngadalshme dhe jo në forma të tjera duke u përdorë mjete si thika, revolja, por ka qenë me metoda primitive. Do të thotë certifikata kryesore e institutit thotë se ka politraum jemi duke folur për shumë thyerje jo për një e dy ka më shumë thyerje, po ashtu kjo ndërlidhet edhe me vetë intervistën edhe deklarimet që ka pas nëpër opinion prej anës së të ndjerës Marigona Osmani ku ajo thotë që zakonisht me të ndjerën kam komunikuar çdo ditë madje edhe dy tre herë në ditë kurse tri ditët e fundit nuk ka pas asnjë lloj komunikimi. Do të thotë kjo edhe ndërlidhet po ashtu në bazë të informacioneve që i kemi marr jo zyrtare që jemi interesua edhe nga Spitali i Ferizajt që kufoma kur është dorëzua ka qenë e ftoftë për çka që do të thotë se vdekja e saj ka ndodh shumë më herët, mirëpo në atë çështje për shkak se jemi në pritje të aktakuzës nuk dëshirojmë të lëshojmë shumë meqë munden me ndikua me i dëmtua hetimet por po besoj që prokuroria gradualisht e ka një lloj pasqyre”, tha Rexhepi, për arbresh.info.

E raportin e obduksionit nuk e ka pranuar avokati Rexhepi as edhe familja e të ndjerës, me arsyetimin se është rast i ndjeshëm.

“Për vrasjen e Marigona Osmanit dy të dy dyshuarit tashmë janë të arrestuar ende janë të dyshuar për shkak se ende nuk kemi aktakuzë, zyrtare të ngritur nga prokuroria, e pikërisht tash janë duke u kompletu provat, sa jemi në dijeni ne edhe pse provat si përfaqësues të palës së dëmtuar nuk na janë dorëzuar ende me arsyetimin për shkak se rasti është shumë i ndjeshëm dhe nga fillimi kemi shpreh mirëkuptim. Aq sa jam në dijeni provat janë në kompletim e sipër e di që raporti i autopsisë i është dorëzua prokurorisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, po ashtu të gjitha ato kamera janë marr nga prokuroria janë konstatua hyrjet daljet edhe në prokurori e ka kry edhe deklarimin edhe nëna e të ndjerës si palë e dëmtuar”, deklaroi Rexhepi.

Sipas avokatit Rexhepi përpos që kjo vrasje është cilësuar si e rëndë është edhe vrasje me pasoja, pasi që gjendja e familjes së të ndjerës është rënduar.

“Deri më tash është cilësuar se vrasje e rëndë me dashje e pas asaj kemi të drejt ti paraqesim edhe ankesat tona por të shohim sepse nuk e kemi ende aktakuzën zyrtare të prokurorisë. Deri më tash të gjitha provat përveç që tregojnë që është vrasje rëndë , është edhe vrasje me pasoja duke u nisur nga pasojat e pasme për, ku ka lënë edhe dy motra tjera, vëllain plus familja tash e ka gjendjen shumë të renduar”, tha Rexhepi.

Rexhepi tha se sipas nënës së të ndjerës, ajo ka jetuar në një presion të frikës dhe kërcënimeve.

“Se a është lajmërua në polici nuk e di. Në bazë të deklarimit  të nënës së të ndjerës po. Ajo ka jetu në një formë në një presion por a ka qenë element frika për shkak të kërcënimeve që i ka bërë meqenëse se ajo ka qenë shumë e re 18 vjeçare”, tha Rexhepi.

Ndërkaq Rexhepi tha se në qoftë se në fund kur të dorëzohet aktakuza do të kenë pakënaqësi, atëherë ata do u drejtohen edhe mekanizmave të tjerë

“Nuk janë arrestuar shpejt pasi që i dyshuari i parë ka qenë në ikje dhe është arrestuar në mënyrë të dhunshme nga hetuesia, ndërsa i dyshuari i dytë  thuhet që është dorëzuar e ndërsa në bazë të institucioneve nuk është dorëzua po është arrestu. Unë dua të flas në gjuhen e ligjit unë personalisht besojë në institucionet e Kosovës, besojë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj besoj edhe në Gjykatë. Normalisht që në qoftë se nuk jemi të kënaqur coftë me aktakuzë coftë me vendim do i provojmë edhe mekanizmat e tjerë  për me ndryshu coftë prokurorin komplet apo coftë kërkesë për me ndryshua aktakuzën po ashtu edhe ndaj vendimit kem të drejt ankimi në instanca të tjera”, deklaroi Rexhepi.

Të dyshuarit të cilët janë shokë mes vete, me  22 gusht të vitit të kaluar, tashmë të ndjerën, Marigona Osmanin e kishin dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit të Ferizajt, për çka tashmë po dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”./S.D/arbresh.info/