Ka arritur parashkrimin absolut lënda ndaj Edmond Rexhepit dhe Hasim Viseshellës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin “NewCo Ferrikonikeli”, ku akuzohej edhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe tetë persona të tjerë.
Viseshella po ashtu akuzohej edhe për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, për të cilën prokurori Haki Gecaj, në seancën e 23 nëntorit 2021 deklaroi se ka arritur afati i parashkrimit absolut, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas, rikualifikimit të veprës penale, nga prokurori i rastit Haki Gecaj, neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në veprën penale nga neni 339, paragrafi 1 “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo i autorizimit” nga Kodi i Përkohshëm Penal të Kosovës (KPK), kryetari i trupit gjykues Avni Syla ka konstatuar se ka arritur parashkrimi absolut i kësaj vepre penale dhe atë më 2 prill 2016.
Gjykatësi Syla tha se gjykata do të nxjerrë aktgjykim refuzues, në të cilin aktgjykim do të paraqiten detajet.
“Figurojnë datat se kur dyshohet se është kryer vepra penale, më 10 nëntor 2011 dhe 2 prill 2012, duke vepruar konform nenit 90 paragrafi 1, pika 6 e Kodit Përkohshëm Penal të Kosovës, lidhur me nenin 91 paragrafi 6 të KPK-së, konstatohet se ka arritur parashkrimi absolut i kësaj vepre penale dhe atë më datë 2 prill 2016”, tha gjykatësi Syla.
Paraprakisht, prokurori Gecaj tha se është i bindur se Kodi i Përkohshëm Penal është si ligj më i favorshëm për të akuzuarit.
“Pas analizimit të shkresave të lëndës, pas dëgjimit të përfaqësueses së palës së dëmtuar në prokurori e edhe këtu sot në shqyrtim gjyqësor, e njëjta në mënyrë decidive deklaroi se në këtë rast nga pala e dëmtuar nuk mund të vërtetohet, nuk mund të sjellet dëshmi se me rastin e kryerjes së veprave penale nga të akuzuarit i është shkaktuar dëm të dëmtuarës, Komunës së Lipjanit, të cilën e përfaqëson apo dikujt tjetër, në këto rrethana, unë tani jam i bindur se si ligj ma i favorshëm për të pandehurit tani duhet të jetë, Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës”, deklaroi prokurori Gecaj.
Përfaqësuesja e palës së dëmtuar- Komuna e Lipjanit, Fatime Mustafa, ka deklaruar se edhe pas kërkesës së saj për Drejtorinë për Urbanizëm në kuadër të Komunës së Lipjanit për informata se a ekziston dëm në lidhje me veprimet e të pandehurve, e njëjta tha se nuk ka prova materiale nëse të pandehurit i kanë shkaktuar dëm kësaj Komune.
Mustafa u pyet nëse prona për të cilën është lëshuar leja urbanistike më 10 nëntor 2011 dhe leja e ndërtimit e 2 prillit 2012, ka qenë pronë publike apo pronë private dhe a është paraqitur ndonjë ankesë nga ndonjë palë, pas lëshimit të këtyre lejeve.
Për këtë, ajo tha se në bazë të certifikatës së pronës dhe të kopjes së planit të dorëzuar në prokurori, konstatohet se prona është në emër të Fahri Retkocerit dhe se Komuna nuk ka pasur asnjë ankesë apo vërejtje nga asnjë palë lidhur me këtë çështje.
Pas kësaj, prokurori Gecaj ka bërë ricilësimin e veprës penale në bazë të KPK-së, i cili Kod ka qenë në fuqi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale dhe se në bazë të këtij ricilësimi, gjykata konstatoi se ka arritur parashkrimi i veprës penale edhe për të akuzuarit Rexhepi dhe Viseshella.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, ku Viseshella ishte dënuar më me pesë muaj burgim, i cili dënim me burg ishte zëvendësuar në dënim në gjobë, në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.
Ndërsa, i akuzuari Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, mirëpo ky dënim, me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro.
Gjykata e Apelit kishte anuluar këtë aktgjykim, me arsyetimin se akgjykimi i ankimuar nuk jep arsyetim në të cilat është bazuar me rastin e zgjedhjes së çështjeve juridike si dhe zbatimin e dispozitave ligjore të caktuara me ligj penal ndaj të akuzuarve dhe veprës apo veprave penale.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 shkurt 2017, i pandehuri Hasim Viseshella në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi, Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkoheshin me veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “Marrje e ryshfetit”.
Në aktakuzë thuhet se Viseshella dhe Rexhepi duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre dhe kanë tejkaluar autorizimet e tyre, gjithnjë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjeter, më saktë të pandehurin Fahri Retkoceri.
Tutje, sipas aktakuzës të pandehurit me dashje direkte kanë shkelur nenin 36, 37, 38 dhe 39 të Ligjit për Ndërtim 2004/15 dhe nenin 4 të Vendimit të Kuvendit Komunal të Lipjanit për ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit.
Ashtu që, më 10 nëntor 2011 kanë lëshuar lejen urbane dhe pastaj më 2 mars 2012 kanë lëshuar lejen për ndërtim në vendin ku ka qenë ish-fabrika e letrës në Lipjan dhe për veprimin e lartëcekur të cilin nuk është dashur ta bëjë, i pandehuri Viseshella nga i pandehuri Retkoceri ka pranuar premtimin për dhuratë në shumën 500 euro.
Ndryshe, ky rast ishte gjykuar edhe gjatë vitit 2018, ku akuzoheshin edhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Driton Avdiu, Burim Kodra dhe Bajram Rizani.
Shukri Buja, më 5 nëntor 2018 ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.
Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.
Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja, Zeqiri dhe Retkoceri, për disa pika tjera të aktakuzës për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.
Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit me vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata e Apelit, me aktgjykimin e marrë më 12 prill 2021 ka vendosur që të refuzojë akuzën ndaj Bujës me arsyetimin se vepra penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën akuzohej Buja, ka arritur afatin e parashkrimit më 7 mars 2021.
Buja akuzohej se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, kishte nxjerrë vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm, për eksproprijimin e patundshmërive në Medvec dhe Magure, me gjithsej sipërfaqe 76.30.37 ha, edhe pse për eksproprijimin për eksploatim ka qenë kompetent niveli qendror.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “NewCo Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.
Tutje, Buja pretendohej se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “NewCo Ferronikel Complex L.LC”.
Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “NewCo Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.
Në një rast tjetër, prokuroria pretendonte se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “NewCo Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”.
Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.
Prokuroria i ngarkonte të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “NewCo Ferronikel Complex L.LC”.
I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohej për veprat penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohej se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu, Retkoceri akuzohej se të akuzuarit Buja ia kishte riparuar një automjet të tipit “Mercedes ML”, i cili kishte qenë pronë e Komunës së Lipjanit. Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Retkoceri e kishte bërë për të ndikuar tek inspektorët komunal që të mos ia ndërprenë punimet në objektin e nisur.
E për veprimin e lartcekur, prokuroria e ngarkonte edhe Bujën pasi sipas aktakuzës, me dashje ka ndikuar tek zyrtarët tjerë komunal që të mos e pengojnë Retkocerin në ndërtimin e objektit kolektiv-banesor.
Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendonte se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.
Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për të gjitha këto veprime, PSRK e ngarkonte Bujën me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Marrje ryshfeti”. Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzoheshin edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Bajram Rizani, kurse Viseshella akuzohej për veprën penale “Marrje e ryshtetit” dhe biznesmeni Retkoceri akuzohej për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Rion Zejnullahu i bashkohet Clujit nga Llapi
Kurti pret në takim nxënësit që fituan medalje në Olimpiadën...
Barcelona arrin marrëveshje me talentin e ri uruguaian, Patr...
Vrasja e vitit 2001 në Prishtinë, 22 vjet e 5 muaj burgim pë...
Zyra e BE-së reagon pas dështimit të KPK-së të marrë mandati...
Rama mbyll fjalimin historik në Knesset: Thirrje izraelitëve...