Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë, është zbatim i plotë i marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.
Osmani i cila është në ShBA në vizitë zyrtare, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se asnjë lloje kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon Kosovën të zbatuar ligjin në përputhje me obligimet ndërkombëtare.
Ajo po ashtu i ka bërë thirrje BE-së, të ushtrojë presion ndaj Serbisë për t’i ndalur provokimet ndaj Kosovës.
Postimi i plotë:
Kosova sot ka zbatuar në plotëni marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat Serbia i ka injoruar dhe po vazhdon të mos i zbatojë. Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja. Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, e jo Kosova.
Prandaj, strukturat ilegale serbe, të financuara e që marrin urdhëra nga shteti i Serbisë, po ndërmarrin veprime jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit. Për më tepër, Serbia, sipas logjikës së pandryshuar të së kaluarës, po i shfrytëzon edhe institucionet shtetërore serbe për ta kërcënuar vendin tonë.
Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve është ndërmarrë si rezultat i përfundimit të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve. Rrjedhimisht, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, në të cilat serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje.
Prandaj, ftoj Bashkimin Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës. Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tonë./arbresh.info/
Kurti: Kosova ka qenë përherë e përkushtuar ndaj integrimit ...
Busti i Adem Jasharit inaugurohet në Hamil të Fierit
BE bie dakord për kredi 90 miliardë euro për Ukrainën
Barcelona e vendosur për ta mbajtur Rashford-in
Kurti: Uroj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit edhe opozita e...
Këshilli i Evropës do të vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë