Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Zëvendësministren Daulina Osmani, priti sot në kabinetin e tij xhudistët kosovarë, të cilët u kthyen me suksese të mëdha nga Kampionati evropian i xhudos.
Së bashku me xhudisten Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e artë në kampionat, xhudistin Akil Gjakova, i cili po ashtu fitoi medalje të artë dhe Nora Gjakova medaljen e bronztë ishin edhe trajneri i tyre Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së xhudos së Kosovës, Agron Kuka.
Kryeministri Kurti uroi xhudistët për performancat e tyre në kampionatin evropian që u zhvillua më 16-18 prill, në Lisbonë të Portugalisë.
Kryeministri Kurti falënderoi kryetarin e Federatës së xhudos dhe trajnerin Driton Kuka për punën e pandalshme dhe kontributin e tyre për konsolidimin e imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare.
“Është kënaqësi shumë e madhe të shoh Kosovën të renditet e para në mesin e 45 shteteve të Evropës”, tha kryeministri Kurti. Me urim të veçantë iu drejtua, ndërkaq, xhudistit Akil Gjakova, i cili për herë të parë u shpall kampion i Evropës dhe solli medaljen e parë ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve.
Gjatë takimit u diskutua për qytetin e Pejës si vend me histori dhe traditë në sportin e xhudos, dhe kryeministri Kurti vuri në pah faktin se si një lagje e Pejës po prodhon kampionë të nivelit ndërkombëtar.
Kryetari i Federatës së xhudos, Agron Kuka dhe trajneri Driton Kuka i uruan kryeministrit për detyrën, duke i dëshiruar shumë suksese dhe veçanërisht i kërkuan mbështetje për rregullimin e problematikave me të cilat sfidohet sektori i sportit.
Trajneri Driton Kuka shpalosi pritshmëritë e tij për Lojërat Olimpike Tokyo 2020, teksa tha se “reprezentacioni jonë ka mundësi të mëdha për të fituar medalje Olimpike”. Ministri Çeku dhe zëvendësministrja Osmani shprehën gatishmërinë e tyre për përkrahjen maksimale të sportistëve kosovarë, duke shpresuar se edhe sportet e tjera do të ndjekin rrugën e sukseseve të sportit të xhudos.

Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...