Kaliforni, studiuesit zbulojnë një variant më ngjitës të COVID-it

15:38 | 24 Shkurt 2021
Arbresh.info

Sipas dy studimeve të reja paraprake një variant i ri i COVID-19, zbuluar kohët e fundit në Kaliforni, është më ngjitës se variantet e tjera të virusit.

Varianti i ri, i quajtur “B.1.427 / B.1.429”, u zbulua nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko ndërsa po ndiqnin përhapjen e mundshme të variantit “B.1.1.7”, zbuluar për herë të parë në Britani vitin e kaluar.

Ekipi zbuloi se “B.1.427 / B.1.429” është shndërruar në variantin mbizotërues në këtë shtet pas testimit të mostrave të virusit të mbledhura nga i gjithë shteti mes shtatorit të vitit të kaluar dhe muajit janar.

Ekipi i ekspertëve thotë se njerëzit e infektuar me variantin “B.1.427 / B.1.429” prodhuan një ngarkesë virale dy herë më të madhe se ajo e varianteve të tjera, gjë që mund ta bëjë virusin që ata mbartin më ngjitës për të tjerët.

Varianti i ri ka më shumë të ngjarë të shkaktojë një formë të rëndë të sëmundjes “përfshirë një rritje të rrezikut për marrjen e sasive të mëdha të oksigjenit prej personave të prekur”. Varianti i ri është pjesërisht rezistent ndaj antitrupave që mund ta luftojnë dhe neutralizojnë virusin.

Sipas një tjetër studimi të po këtij universiteti, ekspertët zbuluan se varianti është përhapur me shpejtësi në të gjithë lagjen historike të San Franciskos, në Mission District, duke i rritur nga 16 në 53 për qind infeksionet e konfirmuara me COVID-19 të gjurmuara nga nëntor në deri në janar.

Virologu Charles Chiu, që drejtoi studimin e UCSF-së, tha se varianti “B.1.427 / B.1.429” duhet konsideruar si “një variant shqetësues” e që meriton shqyrtime të mëtejshme.

Shpërndaje në rrjete sociale