Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi më 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës.
“Pas kësaj është populli ai i cili do të vendosë”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për televizionin serb TV Prva.
Me këtë deklaratë, Vuçiq mund të ketë aluduar në mbajtjen e ndonjë referendumi për këtë çështje.
Vuçiq ka thënë se askush në Perëndim nuk mendon se Kosova nuk është e pavarur.
“Opinioni i Uashingtonit, pavarësisht se kush është në pushtet, nuk do të ndryshojë, megjithëse marrëdhënia ishte disi e ndryshme (gjatë administratës së Donald Trump)”, tha Vuçiq.
Presidenti serb disa herë gjatë periudhës së fundit ka folur për mundësinë e një ndryshimi të pozicionin amerikan ndaj Serbisë në raport me Kosovën, pas fitores së presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 4 shtator, në Uashington dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në marsin e vitit të ardhshëm, bëhen 10 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.
Bashkimi Evropian synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve. Kosova insiston se në këtë dokument duhet të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë, ndërsa Serbia kundërshton./rel
Nesër seanca gjyqësore për vrasjen e Auron Thaqit
Parashikimi i motit për të enjten
Kosovari shpëton 71-vjeçarin nga lumi Aare në Zvicër, në mom...
Nagavci për LDK-në: Nuk i kanë nxjerrë nënshkrimet për Osman...
Tjetër ultimatum nga Trump: Irani, një javë kohë për të arri...
50 mijë euro gjoba për mjedis, në 5 muajt e parë të këtij vi...