Hotelet e Kosovës pas hapjes patën mbi 6 mijë e 800 vizitorë

09:08 | 24 Nëntor 2020
M. A.

ASK tregon se për shkak të pandemisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës, hotelet kanë qenë të mbyllura gjatë muajve prill dhe maj 2020. Andaj, të dhënat e publikuara në këtë tremujor paraqesin rezultatet vetëm të muajit qershor 2020, pasi hotelet kanë filluar të punojnë nga data 01 qershor 2020.

Në muajin qershor Kosovën e vizituan mbi 6 mijë e 800 vizitorë ku gjysma e tyre ishin të huaj

“Në TM2 2020, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 6 831, prej tyre 47.96% janë vendorë dhe 52.07% janë të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 10 466, prej tyre 48.45% nga vendorët dhe 51.55% nga të huajt.”, thuhet në komunikatë.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës, me 2 439 vizitorë dhe 3 626 net-qëndrime.

Sipas ASK-së, numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raport-statistikës “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e dytë (TM2) 2020.

Tutje thuhet se në tremujorin e dytë 2020 pjesë e anketës ishin 199 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e  Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale