Castex: Po përgatisim rregulla afatgjata antiCovid-19 për vendin

13:53 | 14 Nëntor 2020
Arbresh.info

Do të duhet të jetojmë me virusin për një kohë të gjatë dhe kryeministri francez po punon për rregulla për vendin deri në sigurimin e një vaksine kundër koronavirusit të ri, theksoi sot e përditshmja franceze “Le Monde”.

“Për aq kohë sa nuk do të kemi vaksinë, ne duhet të japim perspektivat mbi rregullat e lojës”, deklaroi Jean Castex, i cili prezantoi të enjten strategjinë deri në fund të vitit 2020, por po punon gjithashtu për periudhën më pas, ndoshta deri në verë.

“Një gjë është e sigurt, grumbullimet festive familjare në sallat e festave nuk do të mund të rifillojnë edhe për shumë kohë. Madje, baret dhe restorantet që bëjnë gjithashtu pjesë në vendet ku kontaminimi është i lartë nuk do të mund të rihapen që prej 1 dhjetorit, ndryshe nga dyqanet e lojërave, për shembull”, theksoi ai me detaje.

Të enjten, kryeministri e gjykoi të mundur, nëse tendenca vjen në rënie të lehtë, marrjen e masave lehtësuese duke filluar nga 1 dhjetori.

“Lufta jonë kundër epidemisë është kolektive dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare”, theksoi presidenti francez Emmanuel Macron në një mesazh në Twitter.

Presidenti francez kujtoi në këtë mesazh gjestet për të “shpëtuar jetë”, në klasë, në zyrë, në shtëpi.

Në muajt e ardhshëm, puna nga shtëpia do të duhet të vazhdojë, mbi bazën e një ekuilibri që do të gjendet në kompani për të shmangur të gjitha ose asgjë”, shtoi Castex në të përditshmen “Le Monde”.

Të hënën, laboratorët amerikan Pfizer dhe gjerman BioNTech konfirmuan se kandidati i tyre i vaksinës ishte “90% efektiv” kundër Covid-19, sipas provës në shkallë të gjerë të fazës 3 që po zhvillohej, hapi i fundit përpara një aplikimi për miratim./ATSh/

Shpërndaje në rrjete sociale