Rihapet peticioni për të kërkuar Drejtësi për Kujtimin

15:21 | 8 Tetor 2020
M. A.

Aktivistët e fushatës Drejtësi për Kujtimin kanë rihapur peticionin për të kërkuar drejtësi për

Kujtim Veselin, 11 vjecarin e vrarë në Fushë Kosovë

Përmes një komunikate ata  njoftojnë se peticioni është i gatshëm online.

“Njoftojmë publikun që kemi rihapur peticionin Drejtësi për Kujtimin dhe ftojmë të gjithë qytetarët të cilët nuk e kanë nënshkruar peticionin deri më tash të na bashkëngjiten duke e nënshkruar peticionin. Peticioni është i qasshëm online dhe mund të gjindet në Facebook në faqen Drejtësi për Kujtimin”.

/arbresh.info/

 

Komunikata e plotë:

Më 30 gusht 2020 kemi dorëzuar peticionin Drejtësi për Kujtimin në të cilin kemi kërkuar kërkim-falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhim të rastit nga Policia e Kosovës, inicimin e hetimeve të pavarura penale ndaj zyrtarëve përgjegjës për mos-përmbushjen e detyrës zyrtare nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit, si dhe kompensim për familjen e Kujtim Veselit nga Qeveria e Kosovës. Ky peticion u nënshkrua nga më shumë se 1200 persona.

Gjatë muajit shtator 2020, iniciativa Drejtësi për Kujtimin ka pranuar dy përgjigje lidhur me peticionin dhe kërkesat e tij.

 

  1. Policia e Kosovës si përgjigje për kërkesën e peticionit për kërkim falje, na ka njoftuar se kanë zhvilluar trajnime me zyrtarët policorë për t’i ngritur kapacitetet e tyre në fushën e të drejtave të njeriut dhe se është zhvilluar procedurë disiplinore ndaj dy zyrtarëve policorë që kanë përfunduar se nuk ka pasur shkelje disiplinore nga zyrtarët policorë. Iniciativa Drejtësi për Kujtimin e konsideron këtë përgjigjje si refuzim në heshtje ndaj kërkesës sonë për kërkim falje publike. Madje, Policia e Kosovës i referohet Kujtimit si “rasti i potencuar nga ju” dhe “rasti në fjalë” duke hezituar t’ia përmendin emrin Kujtimit.

 

  1. Kryeprokurori i shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi i është përgjigjur me shkrim peticionit. Ndaj tij dhe Prokurorisë së Shtetit kemi kërkuar që të kërkojnë falje publikisht dhe të iniciojnë hetime penale ndaj prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe për mos-kryerje të detyrës zyrtare. Në përgjigjen e tij, Kryeprokurori shpreh “keqardhjen e sinqertë si Kryeprokuror i shtetit, si prind dhe në fund fare si njeri mbi mënyrën e humbjes së jetës së një mituri”. Megjithatë, Kryeprokurori nuk ka marrë përgjegjësi për të inicuar hetimin e zyrtarëve përgjegjës dhe nuk ka kërkuar falje publike për neglizhimin e rastit nga ana e Prokurorisë. Ai vetëm ka shprehur “keqardhjen dhe tronditjen e sinqertë” për mënyrën se si është vrarë Kujtimi, pa marrë përgjegjësi se mënyra e vrasjes së Kujtimit ka ndodhur për shkak të neglizhencës së Prokurorisë së Shtetit.

 

  1. Qeveria e Kosovës, ndaj të cilës kemi kërkuar kompensim për familjen e Kujtimit për shkeljen e të drejtave të njeriut të cilat veçse janë konstatuar edhe nga Avokati i Popullit, as që e ka marrë mundin të na kthejë përgjigje në kërkesat e peticionit. Në këtë mënyrë ajo ka refuzuar kërkesën për kompensim të nënshkruar nga më shumë se 1200 persona dhe ky refuzim është bërë në heshtje duke treguar mosrespekt fillimisht ndaj familljes së Kujtimit e edhe ndaj të gjithë nënshkruesëve të peticionit.

 

Kërkesat tona vazhdojnë të mbeten të njëjta. Vrasja dhe dhunimi seksual i përsëritur i Kujtimit kanë qenë të parandalueshme. Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë qenë të njoftuara për rrezikun që i kanosej Kujtimit dhe nuk kanë ndërmarrë veprime për mbrojtjen e tij. Ne dyshojmë se arsyeja e mos-trajtimit seriozisht të rastit është paragjykimi racist dhe racizmi institucional. Prandaj duhet të zhvillohet hetim penal ndaj zyrtarëve policor dhe prokurorëve që e kanë trajtuar rastin dhe ia kanë shkelur Kujtimit të drejtën në jetë dhe të drejtën për të qenë i lirë nga tortura.

Kryeprokurori na ka njoftuar për vendimin për masën disiplinore zbritje e pagës 30% për Prokurorin Ruhan Salihu që ai nuk e ka kërkuar paraburigimin e personit me inicialet S.O. në prill 2019 kur ky i fundit e ka pranuar se e ka dhunuar seksualisht Kujtimin. Kjo masë disiplinore nuk e adreson përgjegjësinë e zyrtarëve për shkeljet, prandaj kërkesat tona vazhdojnë të jenë: 1. Kërkim falje, 2. Hetim penal dhe 3. Kompensim i familjes së Kujtimit.

Falenderojmë të gjithë personat të cilët e kanë nënshkruar peticionin Drejtësi për Kujtimin gjatë muajit gusht. Njëherësh njoftojmë publikun që kemi rihapur peticionin Drejtësi për Kujtimin dhe ftojmë të gjithë qytetarët të cilët nuk e kanë nënshkruar peticionin deri më tash të na bashkëngjiten duke e nënshkruar peticionin. Peticioni është i qasshëm online dhe mund të gjindet në Facebook në faqen Drejtësi për Kujtimin.

Ne, pjesëtarët e grupit të qytetarëve të fushatës Drejtësi për Kujtimin nuk do të ndalemi deri sa drejtësia për Kujtimin të vihet në vend. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike për t’i shtyer përpara kërkesat e peticionit Drejtësi për Kujtimin!

Vlora Gashi dhe Qëndresa Ademi

Aktiviste të shoqërisë civile nga Fushë Kosova

Sot ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit me inicialet S.O. për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria për vrasje të rëndë dhe dhunim seksual të Kujtim Veselit. Gjykata Themelore në Prishtinë do ta shpallë publikisht aktgjykimin të hanen, me 12 tetor, në orën 9:00.

Rina Kika, Avokate e familjes së Kujtim Veselit