Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Michele Risi, ka deklaruar se pika e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka të bëjë me formimin e Asociacionit të formimit të komunave me shumicë serbe, është çështje e diskutueshme e cila në vete bart një rrezik të caktuar.
“Një pikë shumë e diskutueshme në dialog, ka të bëjë me formimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe çfarë funksioni dhe fuqie ekzekutive do t’i caktohet asaj”, tha Risi gjatë një konference të Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s në Romë, që i kushtohet integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
“Disa përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, paralajmëruan për rrezikun e ‘bosnjësimit’ të Kosovës, i cili do të mund të rrezikonte etnitetin shtetëror të Kosovës”, tha Risi.
Ai shtoi se marrëveshja e Uashingtonit më 4 shtator, të cilën e kanë nënshkruar kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndihmuar në krijimin e një momenti të favorshëm për ndërtimin e besimit midis Beogradit dhe Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një temë tashmë e mbyllur.
“Ajo temë nuk hapet, sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 [midis Kosovës dhe Serbisë], e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj është marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.
Të hënën është dashur të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por që është shtyrë, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së krijuar me koronavirus.
Derisa Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë çështjen e Asociacionit, Serbia insiston që të bisedohet për të.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Krijimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës./Arbresh.info/
Donacioni prej 25 milionë eurosh nga Emiratet Arabe për ndër...
Ftohen mbi 100 zyrtarë për intervistim, dyshohen për manipul...
Dy vëllezërit shqiptarë autorë të shpërthimit me eksploziv n...
“E godita në tavolinë,” Trump zbulon pse kishte dorën e mavi...
Oficerët e emigracionit ndalojnë një fëmijë 5-vjeçar gjatë b...
Policia dhe Krimet Ekonomike me aksion në Prizren për manipu...