Asistentja e Driton Selmanajt promovon laboratorin privat për kryerje të testit për Covid 19

15:34 | 11 Gusht 2020
Arbresh.info

Elda Brada, asistente e zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Driton Selmanaj po promovon njërin nga institucionet shëndetësore private, për të kryer testime për koronavirusin.

Ajo  në facebook ka shpërndarë postimin e këtij laboratoti në të cilin thuhet se është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për kryerje të këtij testi, shkruan arbresh.info.

Ndryshe, ditë më parë Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se ka licencuar 29 institucione shëndetësore private, për të kryer testime për koronavirusin.

“Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të aplikojnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT- PCR)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Dy laboratorët që janë licencuar për të kryer testime me metodën PCR janë: Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike dhe laborator Mjekësor Biokimik-Hematologjik “Medical & Laboratory Services Sh.P.K “ – Prishtinë dhe Laborator Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike “ UBT “ – Lipjan.

Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut. Ndërkaq, testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

“Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore deri tash ka shqyrtuar 34 nga mbi 100 aplikacionet e institucioneve private shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

Deri tani në Kosovë teste për COVID-19 ka kryer vetëm IKSHPK-ja, derisa më 17 korrik kanë filluar të bëhen teste serologjike edhe në sektorin primar shëndetësor, në Qendrat e Mjekësisë Familjare, që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

Edhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes Nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike brenda Ministrisë së Shëndetësisë, për materialet dhe dosjet e dorëzuara nga të gjitha institucionet private shëndetësore të cilat kanë bërë kërkesë për licencim, respektivisht për lejimin e shërbimit të testimit SARS-Cov-2./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale