Rikapje apo pavarësi në sistemin e drejtësisë nga “Qeveria Kurti”?

08:36 | 9 Shkurt 2020
Arbresh.info

Republika e Kosovës nuk vuan nga mungesa e ligjeve dhe politikave për të luftuar korrupsionin, por vuan nga ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, të cilat lidhen me mungesën e vullnetit për të përkrahur sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Korrupsioni, klientelizmit, sistemi i monopolizuar, nepotizmi, vazhdon të mbizotëroj në shumë fusha, e më shumë është i përhapur në sistemin e drejtësisë, ku qeveritë e tjera kanë “kapur” këtë sistem sa e sa vite, e kjo po ashtu është shqetësim i madh për popullin e Kosovës.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për arbresh.info, ka thënë se institucione e drejtësisë dhe sigurisë janë institucione më të ndjeshme në aspektin e funksionimit demokratik, e gjatë ditëve në vazhdim të qeverisë Kurti do të shohim arrestime dhe qasje më proaktive tek këto institucione.

“Pika më e dobët dhe më e ndjeshme në aspektin e funksionimit demokratik të institucioneve kushtetuese në Kosovë, janë institucionet e drejtësisë dhe sigurisë. Në masë te madhe, me përjashtime te vogla ne këto institucione janë vendosur njerëz të politikës, persona me të kaluar të dyshimtë dhe me integritet të kontestuar si në aspektin personal dhe atë profesional. Sikurse edhe në të kaluarën edhe ditëve në vazhdim dhe muajin e parë të qeverisë Kurti do shohim arrestime, një qasje më pro aktive të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, duke bërë përpjekje të dëshpëruara për të treguar se Kosova ka shtet ligjor dhe për ti lënë përshtypje qeverisë së re. Kjo praktikë është e njohur në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai tutje shtoi se qeveria Kurti nuk guxon të i ndërroj rolet me ish-qeveritë e kaluara dhe të nënshtroj sistemin e drejtësisë dhe mos ta konsideroj si pjesë të ekzekutivit.

“Çka qeveria Kurti nuk guxon të bëjë është të ndërroj rolet me ish-qeveritë e kaluara dhe të nënshtroj sistemin e drejtësisë dhe mos ta konsideroj si pjesë të ekzekutivit. Qeveria Kurti duhet të përçoj mesazh dhe të ndërmarr veprime që sigurojnë pavarësinë e sistemit sikurse e parasheh edhe Kushtetuta dhe ligji por në të njëjtën kohë më politika legjislative të ngris llogaridhënien, transparencën, integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Vettingu është një ndër masat e domosdoshme”, ka thënë drejtori i Institutit për drejtësi, Ehat Miftaraj.

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për arbresh.info, tha se me ardhjen në pushtet të Kurtit do të kemi sitëm të drejtësisë 100%.

“Një prej premtimeve me të cilat ka ardhur në pushtet kryeministri, Albin Kurti ka qenë se ai ka ndikuar duke i ndryshuar rrethanat për të mirë që të kemi sistem juridik totalisht të pavarur dhe ai këtë do ta realizoj 100%, por normal që kjo nuk mund të ndodhë për një kohë të shkurtë por kjo është intenca e qeverisë Kurti dhe se kjo do të realizohet është e sigurt. Mirëpo, tani kjo nuk është vetëm realizim i premtimeve por është program qeveritarë ku secili digaster i qeverisë do të punoj që në të mirë të popullit, të shtetit e të qytetarit, e të realizohet sa më shpejtë aq më mirë”, ka thënë avokati Gashi.

 

Ndryshe me këtë nuk është pajtuar analisti politik, Rexhep Shahu, ai për arbresh.info tha se nuk beson në fuqinë apo magjinë e kryeministrit se do të bëjë mrekulli në sistemin e drejtësisë.

“Nuk besoj në fuqinë apo magjinë e kryeministrit se do të bëjë mrekulli, sido që ta ketë emrin ai, por dua të besoj në frymën e re, ne ekipin e ri. Drejtësia është pushtet me vete para të cilit duhet të dridhet kryeministri e qeveria, drejtësia nuk është as nuk duhet të jetë vegël e qeverisë, as emërtesë e qeverisë as zgjatim i qeverisë. Që shteti e shoqëria të shkojnë mirë e mbarë, drejtësia duhet të jetë e pavarur. Ajo që i kërcënon e rrezikon qytetaret kryesisht është qeveria dhe ndaj saj duhet ti mbrojë drejtësia”, tha analisti Shahu.

Ndërkaq, ai shtoi se, pushteti gjyqësor nuk është pushtet që varet nga kryeministri në një shtet normal demokratik ku pushtetet janë të ndara, ku ka përmendur edhe pushtetin gjyqësor se në çfarë reforma po ndodh drejtësia në Tiranë, dhe shpreson që ky model i tillë të mos ndodhë në Kosovë.

“Pushteti gjyqësor nuk është pushtet që varet nga kryeministri në një shtet normal demokratik ku pushtetet janë të ndara. E nëse mendon se i ka të gjitha pushtetet ai që bëhet kryeministër, nuk ka jete të gjatë demokracia në atë shoqëri. Është e vështirë ti shpëtohet klientelizmit, favorit e monopolit nga reforma qeveritare, por mund të shpëtohet demokracia nga zbatimi i ligjeve, nga kontrolli i pushteteve nga parlamenti i Kosoves. Qeveria e zotit Kurti mundet që t’ua rregullojë infrastrukturën e pushteteve të tjera si atij gjyqësor, por nuk besoj se mund ta diktojë apo duhet ta diktojë në përditshmërinë e vet atë pushtet që jep drejtësi. Në një shtet demokratik pushteti gjyqësor nuk është “pushkë e qeverisë” apo e kryeministrit, pasi një model i tillë po ndodh në Tirane ku kryeministri Rama, dikton gjithçka është në sistemin e drejtësisë. Shpresoj të mos ndodhe në Kosovë dhe të shpëtohet edhe prej rasteve të ndodhura më parë”, ka thënë analisti Shahu./E.Ballazhi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale