Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ky vendim u mor në mbledhjen e ENQA-s më 19 shtator.
E, ish-drejtori i Agjencisë së Akreditimit Blerim Rexha, thotë se për arbresh.info se largimi i Kosovës nga ENQA është dëmtim direkt i kredibilitetit, pasi që tani nuk mund ti besohet një institucioni, i cili përjashtohet nga ENQA për mos plotësim të standardeve.
“Largimi i Kosovës nga ENQA është një lajm i kobshëm për të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës. Është dëmtim direkt i kredibilitetit te Agjencisë së Kosovës për Akreditim ndaj institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe jashtë saj. Si mund ti besohet një institucioni, i cili përjashtohet nga ENQA për mos plotësim të standardeve”.
Rexha thotë se barrën kryesore do ta ketë qeveria e re, gjegjësisht MASHT.
“Bordi aktual i Agjencisë së Kosovës për Akreditim duhet ta lexoj drejt dhe me kujdes vendimin e ENQA-së, të krijoj një plan detaj për plotësimin e të gjitha rekomandimeve te dhëna në vendimin e datës 1 Tetor 2019, ndërsa barrën kryesore do ta këtë qeveria e re, gjegjësisht MASHT që të siguroj kushtet për pavarësinë në vendim marrje dhe rritjen e mbështetjes, siç kërkon edhe ENQA”, ka thënë Rexha.
Përjashtimi i Kosovës nga ENQA është vrasje e ëndrrave për të studentet që t’i vazhdojnë studimet në Kosovë, kështu vlerëson Profesori Universitar Rrahman Paçarizi.
Paçarizi thotë se, tani mbetet në vullnetin e universiteteve evropiane nëse do t’i pranojnë apo jo diplomat e Kosovës.
“Përjashtimi Agjencisë se Akreditimit të Kosovës nga ENQA një vendim që vjen pas vendimit për përjashtimin nga regjistri EQAR është një prej lajmeve ma të këqija për Kosovën në 20 vitet e fundit, dhe pasojat janë të papërballueshme për Kosovën, sepse dëmet janë të parikorueshme për një kohë të gjatë, pasi diplomat e akredituara të lëshuara në Kosovë jo patjetër do të pranohen në universitetet evropiane. Kosova ka qenë pjesë e ENQA punë që është bërë me mund shumë të madh, dhe diplomat e lëshuara në universitete në Kosovë janë pranuar në Evropë me automatizëm ndërkohe që tash u mbetet universiteteve evropiane veç e veç dhe mbetet në vullnetin e tyre që ti pranojnë apo jo diplomat e Kosovës. Kjo është një vrasje e ëndrrave dhe të ardhmes së të rinjve të Kosovës është dekurajim dhe jo motivim i të rinjve për të studiuar në Kosovë”, ka thënë Paçarizi për arbresh.info.
E, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci në prononcim për arbresh.info sqaron se, studentët që duan t’i vazhdojnë studimet në universitetet evropiane do t’i nënshtrohen një verifikimi më rigoroz.
“Me përjashtimin e AKA nga ENQA, Kosovës i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm. E para, arsimi i lartë në Kosovë mbetet pa një mbikëqyrje ndërkombëtare duke inkurajuar klasën politike të Kosovës që përmes ndërhyrjeve në këtë sektor t’i realizojë interesat e veta klienteliste dhe biznesore, ashtu siç kanë vepruar edhe deri tani. E dyta, reputacioni, edhe ashtu, i ulët i arsimit të lartë në Kosovë është rrënuar akoma më shumë. Diplomat e studentëve që duan t’i vazhdojnë studimet në universitetet evropiane do t’i nënshtrohen një verifikimi më rigoroz, si dhe diplomat e atyre që dëshirojnë të bëjnë karrierë profesionale në këto vende”, tha ai.
Sipas tij, të gjitha subjektet politike, pavarësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë, duhet të zotohen se nuk do të ndërhyjnë më në këtë fushë.
“Do të duhen vite që AKA të rikthehet në ENQA dhe EQAR, por as ajo nuk do të ndodhë nëse vazhdohet me ndërhyrje dhe arsimi i lartë shfrytëzohet për qëllime klienteliste dhe biznesore. Prandaj, Kosovës i duhet një konsensus i përgjithshëm politik për depolitizimin e arsimit të lartë. Të gjitha subjektet politike, pavarësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë, duhet të zotohen se nuk do të ndërhyjnë më në këtë fushë. Kosova duhet ta ketë në agjenci të pavarur, e cila nuk njeh as ministër as kryeministër, por vetëm Ligjin dhe standardet e akreditimit. Ajo duhet të ketë buxhet dhe staf të mjaftueshëm për t’i kryer detyrat e veta dhe gjithë mbrojtjen e shtetit nga grupet e ndryshme të interesit që e shohin arsimin e lartë si poligon për realizimin e interesit personal dhe klanor”, ka thënë Pupovci.
Ndryshe, Njëra nga arsyet që e shtyri ENQA-n të marrë vendim për përjashtimin e AKA-s është ndërhyrja politike, që është bërë në këtë institucion e për të cilën më së shumti u akuzua ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi.
Në reagimin e BE-së thuhet se ndërprerja e anëtarësimit të Kosovës në ENQA është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën.
Ndërsa, Kosova nuk ka të drejtë edhe dy vjet tjera të aplikojë për t’u ri-anëtarësuar në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë./A.Zeka/arbresh.info/
Ndëshkohen tri lokale në Shtime për prishje të rendit dhe qe...
Zbulohet si rrodhi ngjarja në ndeshjen West Ham-Sunderland, ...
Arrestohet i dyshuari që shkaktoi aksidentin me një të vdeku...
Papa Leo thotë se civilët në Ukrainë po vuajnë, bën thirrje ...
Osmani për BBC: Kosova e di si arrihet paqja
Vuçiq e quan takimin mes eurodeputetëve dhe opozitës serbe “...