Është mirëpritur nga zyrtarët qeveritar gatishmëria e Bashkimit Evropian për të investuar deri në 1 miliardë euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.
Por, realizimi i projekteve, konkretisht linjave hekurudhore ndërshtetërore që lidhin qytete e porte në rajon, nuk konsiderohet punë e lehtë, raporton REL.
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, ka thënë se në këtë takim është biseduar për rrjetin bazë hekurudhor dhe heqjen e barrierave për funksionimin e tregut të brendshëm.
Rrjeti bazë hekurudhor për Kosovën, thotë ai, është linja hekurudhore Hani i Elezit në kufi më Maqedoninë, që lidhet më Leshakun në kufi më Serbinë.
“Për ne, rrjet bazë hekurudhore është linja aktuale Hani I Elezit – Leshak, që i lidhë kryeqendrat e mëdha ekonomike Shkup – Prishtinë – Beograd. Por, për t’u futur në rrjetin bazë, duhet të ketë mirëkuptim të të dy shteteve, që ato shtete të zotohen për të financuar sepse Evropa nuk e rregullon”, thotë Zharku për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka shtuar se “Kosova është shumë e interesuar dhe do të punojë pa ndërprerë për përfundimin e punëve që i takon sa i përket komunikacionit hekurudhor”.
Por, për marrjen e mjeteve të Bashkimit Evropian, vendet e rajonit duhet të zhvillojnë projekte të përbashkëta të standardeve evropiane, qofshin ato rrugore, hekurudhore dhe doganore, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Në anën tjetër, Agron Thaqi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos“,thotë se linja hekurudhore që kalon nëpër Leshak, në kuptimin teknik është funksionale.
“Me hekurudhat e Serbisë, si shtet dhe lidhje me Evropën Qendrore, e kemi linjën 10, e cila kalon në pjesën veriore të Mitrovicës nëpërmes Leshakut. Ajo linjë është funksionale në kuptimin teknik, vetëm pritet një zgjidhje politike në mënyrë që të rihapet linja”, thotë Thaqi.
Hekurudhave të Kosovës u është ndaluar qasja në hekurudhat në veri të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pas kësaj periudhe është ndalur treni i cili qarkullonte në drejtim Fushë Kosovë – Leshak.
Ndryshe, Agron Thaqi, tregon se tashmë kanë përgatitur edhe disa studime fizibiliteti për zhvillimin e komunikacionit hekurudhor që lidhin Republikën e Kosovës me hekurudhat e Shqipërisë, Malit të Zi dhe më Serbinë.
Ai tha se projekt-propozimet tashmë janë dërguar në Qeverinë e Kosovës.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë./arbresh.info/
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi njofton për projektin “FIFA ...
Arbeloa, kandidati serioz për ta zëvendësuar Alonson në rast...
Sindikata e Re e KEK-ut paralajmëron protestë para zyrave të...
Momenti kur Alba Pollozhani e ‘tërheq zvarrë’ Bi...
Tërmet i fuqishëm 7.6 ballë në Japoni, lëshohen paralajmërim...
Vëllaznimi mbetet pa lojtarin kryesor Marques Warrick