Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Ibrahim bin Abdulaziz Al-Assaf, ka shprehur “shqetësimet” në lidhje me situatën në rajonin e kontestueshëm Xhamu dhe Kashmir pasi India më herët gjatë muajit anuloi të drejtat e veçanta që rajoni gëzonte dekada me radhë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Ministria e Jashtme e Pakistanit përmes një kumtese, Al-Assaf i shfaqi pikëpamjet e tij për rrethanat “e rënda” gjatë një bisede telefonike me homologun e tij pakistanez, Shah Mehmood Qureshi, i cili e informoi atë për përkeqësimin e të drejtave të njeriut në rajon.
Qureshi ka falënderuar Al-Assaf-in për kontaktet e tij të fundit me ministrat e Jashtëm të disa vendeve dhe forume ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) në lidhje me rajonin Xhamu dhe Kashmir.
Në kumtesë thuhet se dy kryediplomatët u pajtuan që të jenë në kontakt dhe të punojnë për paqen në rajon.
Rajoni Xhamu dhe Kashmir është duke u përballur me një situatë të vështirë që nga 5 gushti, kur qeveria indiane revokoi nenin 370 të Kushtetutës indiane që i jepte një status të veçantë zonës. Sipas organizatës Human Rights Watch, qindra njerëz, kryesisht liderë politikë, janë ndaluar ose arrestuar nga autoritetet që kur Parlamenti indian bëri këtë veprim.
Liderët e Kashmirit shprehën frikë se ky hap synon ndryshimin e karakterit demografik të rajonit, ku disa grupe kanë luftuar përpavarësi kundër qeverisjes indiane apo për bashkim me Pakistanin fqinj.
India dhe Pakistani e mbajnë Kashmirin në pjesë dhe pretendojnë tërësinë e saj. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por janë India dhe Pakistani ata që kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.
Zelensky: Pranimi i Ukrainës në BE duhet të përfundojë deri ...
Kurti, Osmani e Basha nderojnë viktimat e Holokaustit në Dit...
Lëvizja Vetëvendosje: Krimi dhe korrupsioni në Komunën e Pri...
Ismajli dëmtohet sërish, mësohet se sa do të qëndrojë jashtë...
Genoa insiston në shërbimet e Kristjan Asllanit
Vuçiq vazhdon të mohojë gjenocidin: Është term juridiko-poli...