Rrëfen fqinji: Dritani xheloz për të shoqen, pinte dhe e rrihte

21:09 | 28 Shtator 2015
Gita

Pija e kishte shtyrë Dritanin të bënte veprimet që sollën tragjedinë e djeshme. Të afërmit e Dritan Petovës tregojnë për gazetën dhe konfliktet që ka pasur prej disa kohësh çifti Petova. Dritani, sipas të afërmve, ishte i punësuar si roje në Radiostacionin që ndodhet pranë shtëpisë së tij, ndërsa Zare (bashkëshortja), punonte në një nga pularitë e zonës.

Çifti kishte dy fëmijë, një vajzë dhjetë vjeçe dhe një djalë 7- vjeçar. Rakip Rakipi, i cili është shok dhe komshi me autorin, gjatë një interviste për gazetën “Panorama” tha se ishte shokuar nga ngjarja, pasi duke njohur Dritanin nuk mendonte se do të shkonte kaq larg. Sipas tij, çifti Petova prej disa kohësh nuk kishin marrëdhënie normale si çift dhe bashkëshortja kishte kërkuar divorcin.

Rakip, ju jeni përveç i afërt i familjes dhe shok me Dritanin. Na tregoni pse ndodhi kjo ngjarje e rëndë?

Dritani punon këtu te Radiostacioni dhe bashkëshortja e tij në një pulari këtu në zonë. Nga ana ekonomike familja ishte shumë mirë, pasi punonin burrë e grua. Por prej disa kohësh Dritani kishte nisur të ishte xheloz për të shoqen.

Kishte diçka për xhelozi, sipas jush? Pra dyshohet të këtë pasur lidhje të dyfishtë Zarja? Jo, jo nuk besoj. Dritani pinte, shkonte në shtëpi dhe nuk sillej normal me bashkëshorten, madje kemi dëgjuar se ushtronte edhe dhunë fizike mbi të.

A ju kishte folur rreth situatës që ishte krijuar në familje Dritani?

Kohët e fundit, gjatë kohës që kishte ikur e shoqja në shtëpinë e të atit të saj, Dritani ishte mërzitur shumë dhe donte të bashkohej sërish më të shoqen. Por ajo si duket e kishte vendosur për të mos u kthyer prapë në shtëpinë e bashkëshortit. Ishte në një gjendje të rëndë psikologjike, plus edhe pinte shumë dhe dilte jashtë kontrollit.

Si e mësuat ngjarjen?

Ngjarjen e kemi mësuar të gjithë këtu në lagje nga televizori, pasi vendi i ngjarjes është larg nga këtu. Kur u ngritëm në mëngjes konstatuam se kishin ardhur forca të shumta policie dhe forcat RENEA. Fillimisht nuk po na besohej, sepse nuk kishim menduar kurrë që Dritani do të arrinte deri në këtë pikë sa të vriste bashkëshorten dhe vjehrrin dhe më pas edhe veten e tij.

Me kë jetonte Dritani përveç gruas dhe fëmijëve?

Dritani jetonte me gruan, fëmijët dhe nënën e tij. Punën e kishte ngjitur me shtëpinë. Ai kishte zëvendësuar babain e tij, i cili më herët kishte punuar si roje këtu në nënstacion. Nuk di çfarë të them, mjerë fëmijët që mbetën jetimë. Janë të vegjël. Dritani qëndroi duke negociuar me policinë dhe të afërmit për më shumë se pesë orë.

Pse nuk u bind të zbriste nga antena ku kishte hipur?

Dritani nuk kishte dijeni që bashkëshortja dhe vjehrri kishin vdekur, pasi mendonte se vetëm i kishte plagosur. Ai ishte gati për të zbritur pas negociatave me policinë, por me sa dëgjova kishte marrë një telefonatë dhe i kishin treguar se bashkëshortja dhe vjehrri kishin vdekur. Në këtë kohë, ai qëlloi veten me armën që kishte qëlluar edhe mbi ta. Kur u vetëqëllua, arma ra nga lartësia dhe u thye në mes.

Duke marrë parasysh faktin se njiheshit prej kohësh me Dritanin, si ishte ai në jetën e përditshme?

Ishte një njeri shumë normal. Edhe kur pinte, nuk shqetësonte asnjë njeri nga banorët e zonës dhe kishte marrëdhënie shumë të mira me të gjithë komshinjtë dhe shokët. Ne akoma nuk e besojmë dot atë që ka ndodhur.

Shpërndaje në rrjete sociale