Rama: Harmonia fetare, përgjigja ndaj ekstremizmit

18:57 | 27 Shtator 2015
Gita

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Nju Jork, kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, që u moderua nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati. Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për dialog dhe ndërveprim mes feve dhe kulturave, promovimin e diversitetit dhe harmonisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama foli për Shqipërinë she modelin që ajo ofron, jo thjesht si një bashkëjetese fetare, por siç e quajti Ati i Shenjtë, “vëllazëri fetare”. Në këtë vëllazëri fetare, nënvizoi kryeministri, Shqipëria, një vend ku përvoja e diktaturës na ka mësuar qartë se çmimi për t’u paguar për fenë është shumë i lartë, ka një mesazh dhe një rol të rëndësishëm për të luajtur.

“Papa Françesku e filloi vizitën e tij në Evropë nga Shqipëria. I përshëndetur nga gëzimi i mijëra qytetarëve të feve të ndryshme, ai e quajti këtë bashkëjetesë “vëllazëri fetare”. Ne nuk do të lejojmë që asnjë besim të përcaktohet në termat e kundërvënies ndaj besimeve të tjera. Unë mendoj se kjo është një masë e rëndësishme parandaluese ​​kundër ekstremizmit. Në një vend ku Selia e Shenjtë ka më shumë se 40 martirë, ka njerëz që i luten Allahut, ku festat e krishtera kremtohen edhe nga myslimanët dhe festat myslimane kremtohen nga të krishterët, hebrenjtë, ateistët.

Në vendin tonë, ne kemi ditur gjithmonë si të ndërtojmë mbi ngjashmëritë tona dhe si të respektojmë dallimet tona sidomos në çështjet e fesë. Është e mundur që këtë përvojë ta përçojmë përtej kufijve tanë, në realitete të ndryshme sociale, politike dhe kulturore”, u shpreh Rama.

Përgjigja ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit, për kryeministrin Rama, është respektimi i vlerave themelore të njeriut dhe mirëkuptimi mes besimeve, më shumë dialog e bashkëpunim.

“Ky është një moment për t’u ngritur dhe të bashkëpunojmë për shoqëritë që respektojnë të drejtat universale të njeriut, themelet e lirisë dhe që refuzojnë pikëpamjen e korruptuar të çdo forme besimi që mund të përhapet në çdo qytet, nga Parisi në Baga, duke kërcënuar jetën, paqen dhe të ardhmen.

Masat që duhet të merren janë komplekse dhe përfshijnë bashkëpunim më të madh midis aktorëve, nga feja, në ato të sigurisë, duke harmonizuar hapa në fusha të ndryshme, nga ekonomia e deri tek arsimi”, tha kryeministri.

Gjithashtu, ministri Bushati nënvizoi se historia e Shqipërisë dëshmon se nuk ekzistojnë pengesa në zhvillimin e një dialogu dhe komunikimi:

“Ajo demonstron qartë një bashkëjetesë në paqe dhe harmoni, në një atmosferë respekti dhe besimi reciprok”.

Ministri evidentoi kontributin e veçantë te Papës Françesku II në promovimin e vlerave të bashkëjetesës dhe dialogut mes feve në të gjithë botën, si dhe u ndal në rëndësinë e vizitës së tij në Shqipëri si vendi i parë i ndalesës së tij në Evropë dhe si një vend model i bashkekzistencës mes feve.

Duke iu referuar Deklaratës së Schuman-it, Ministri përmbylli duke thënë se paqja në botë nuk mund të ruhet pa përpjekje kreative në përgjigje të rreziqeve që e kërcënojnë atë dhe i ftoi të pranishmit të vijojnë përpjekjet e përbashkëta dhe dialogun për promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës.

Shpërndaje në rrjete sociale