Komuna e Skenderajt shpenzoi 9200 euro për kafe

12:08 | 1 Prill 2019
M. A.

Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Skenderajt, Mehmet Berisha, ka paraqitur një raport, specifik siç tha ai, të shpenzimit të buxhetit për vitin 2018 në seancën e fundit të Kuvendit Komunal. Për herë të parë deri më tani Berisha ka specifikuar shpenzimet nga kategoria ekonomike, dreka zyrtare, shuma e të cilave është 27.000 euro (2000 euro më pak se në vitin 2017), duke bërë një ndarje se për çfarë në fakt janë harxhuar 27.000 euro. Sipas Berishës, nga 27.000 euro (kategoria ekonomike dreka zyrtare) 4.278 euro janë të qeverisjes së kaluar, 9.212 euro shpenzime për kafe (Bufeja), 2.582 euro dreka zyrtare dhe 11.407 euro për manifestime të shkollave.

“Janë shpenzime specifike ato të reprezentacionit, kështu që 2.582 euro janë shpenzuar për dreka zyrtare, 9.212,50 euro për kafe dhe 11.407,00 euro për manifestime të shkollave, ndërsa 4.278 euro janë shpenzime të kësaj kategorie nga viti 2017”, ka precizuar Berisha.

Në një pyetje të asamblistes Vjollca Ramadani (LVV) se sa kafe bëjnë 10 mijë euro, Berisha nuk është përgjigjur.

Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Skenderajt, Mehmet Berisha, ka shtuar se në vitin 2019 Komuna ka hyrë me një borxh prej 403 mijë eurosh, duke kujtuar se borxhet e vitit 2017 kanë qenë 1.174.280 euro. Ai shpjegoi se borxhet e personave fizikë e juridikë ndaj Komunës janë 1.197.000 euro: 803.000 euro tatim në pronë, 246.000 euro taksa komunale të bizneseve, 88.000 euro nga shfrytëzimi i pronës publike (renta). 31.000 euro nga shfrytëzimi pronës publike (qiraja) dhe 29.000 euro nga lejet e ndërtimit. Sipas drejtorit Berisha, Komuna ka paguar për vendime të gjykatave dhe të përmbaruesve 406 mijë euro. Berisha në vijim ka sqaruar se në total buxheti i vitit 2018 ka shënuar rritje prej 18,73 për qind, ndërsa shpenzimet gjithashtu kanë shënuar rritje për 13,62 për qind.

Sipas Berishës, obligimet kontingjente të vlerësuara nga avokatë komunalë (kontestet pronësore – shpronësimet, kontestet për pagesën e pagave, pagat jubilare – nga tri paga me rastin e daljes në pension të punëtorëve të arsimit, kthimi në vendin e punës, kontestet civile, pagesa të faturave, kompensim demi, kërkesa për kompensim borxhi, konteste për përmbarim, kërkesa të ndryshme) janë 1.176.00 euro.

E ndërkaq opozita, në këtë rast asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, që janë të vetmit opozitë, pasi asamblisti i IQ “41000”, Malsor Bejta, ka vendosur ta mbaj gojën mbyllur pas ngjarjeve kur ishte sulmuar fizikisht nga drejtori i DKRS-së, Ramiz Shala, dhe sigurimi i kryetarit Jashari, ndërsa të tjerët opozitarë zakonisht nuk bëjnë vërejtje, ka kundërshtuar raportin e shpenzimit të buxhetit për vitin 2018, duke dhënë shumë vërejtje.

Asamblisti Hysni Mehani tha se sa u përket shpenzimeve nuk dallojnë nga njëra-tjetra qeverisja e kaluar me atë të tashmen. Ramiz Shala ka lavdëruar punën e kryetarit Bekim Jashari dhe të të gjitha drejtorive, por ka hasur në kundërshtim të asamblistit Mehani, i cili ka pyetur Shalën se sa ka kushtuar riparimi i veturës që ai e aksidentuar dhe e ka shkatërruar, si dhe kush ia paguan shpenzimit e udhëtimit nga Fushë Kosova në Skenderajt dhe anasjelltas, por Shala nuk është përgjigjur.

“9.212,50 euro për kafe, 13.527,70 euro për udhëtime dhe mëditje jashtë vendit, vetëm për mëditje 8.509.70 euro, 41.923,45 euro për mirëmbajtje dhe për riparim të automjeteve. Mbi 1200 euro shpenzime për kafe i ka vetëm drejtori për Kulturë, Rini e Sport, i cili ka shkatërruar më herët një veturë zyrtare dhe ka bërë disa skandale. Qeverisja aktuale ka hedhur akuza të rënda për qeverisjen paraprake dhe është banale të bëjmë analogji mes këtyre dy qeverisjeve kur jemi në dijeni të antagonizmave, por në raportimin e shpenzimeve janë aty, si viti 2017, si viti 2018. Për mirëmbajtje dhe për riparim të automjeteve në vitin 2018 janë shpenzuar 41.923.45 euro, ndërsa në vitin 2017, 25.088,20 euro. E dini pse ky dallim, veturat zyrtare s’po kanë krahë të fluturojnë përmbi ura. Por ka edhe shembuj të mirë, shembuj pozitivë, siç është rritja për 30 mijë euro për furnizime mjekësore, ndonëse nuk jam i sigurt se këto rritje kanë dhënë rezultate në terren, por megjithatë janë të mirëseardhura”, ka shpjeguar asamblisti i LVV-së Hysni Mehani./ZERI

Shpërndaje në rrjete sociale