Ekipi negociator për dialogun me Serbinë, është në përfundim e sipër të platformës që do të reflektojë unifikimin e qëndrimit të Kosovës në dialogun final për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, konfirmon bashkëdrejtuesi i Ekipit negociator, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Ai thekson se që nga votimi i Kuvendit të Kosovës për Ekipin negociator, ky i fundit ka punuar dhe është duke punuar për normalitetin ndërinstitucional, me objektivin që të unifikojë qëndrimin e Kosovës në dialogun final me Serbinë, përmes platformës për dialogun.
“Unë besoj që platformën do ta kemi gjatë javës së ardhshme, do të jetë e gatshme si draft dhe do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës. Platforma ka objektiv për ta bërë publik pozicionin e Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm dhe çka pret Kosova në atë dialog. Aty e reflekton vullnetin dhe gatishmërinë për dialog, por, njëkohësisht edhe pritjet tona për epilogun e dialogut. Këtë e ka objektiv dhe do të thotë që Kosova del me një pozicion përfundimisht zyrtar”, thekson Limaj.
Limaj shton se Ekipi negociator është duke punuar për t’i koordinuar aktivitetet me krerët e institucioneve të larta të Kosovës dhe rezultatet e këtij koordinimi, pritet të shihen në platformën, e cila do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.
Ai, gjithashtu, thekson se të martën e javës së ardhshme, Ekipi negociator pritet të udhëtojë në Bruksel, ku do të ketë një takim pune me zyrtarët e Bashkimit Evropian.
“Ne do të jemi në Bruksel të martën, për të diskutuar së bashku me Brukselin se si e shohim vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut. Kështu që, do të jetë një takim pune, një takim teknik, nëse mund ta quaj kështu, për të biseduar modalitetet e vazhdimit të dialogut në të ardhmen”, bën të ditur Limaj për REL.
Zëvendëskryeministri Limaj ka theksuar se objektivi i Ekipit negociator ka qenë dhe mbetet demonstrimi i vullnetit të Kosovës para partnerëve të saj ndërkombëtarë që në dialog vendi do të jetë serioz dhe se është i gatshëm të marrë obligimet. Sipas tij, Kosova tashmë ua ka dërguar porosinë partnerëve ndërkombëtarë se nëpërmjet negocimit mund të zgjidhen çështjet e hapura me Serbinë.
Ministria e Mbrojtjes mohon testimin e dronit “Skifter 1” në...
“Po i mbush 19 vjeç, aq sa ishte motra ime kur vdiq ...
Rubio: SHBA dëshiron ndryshim regjimi në Kubë
Elijona shkëlqen sonte në ditëlindjen e saj, Benita i bën nj...
Çfarë i ndodh trupit tuaj kur ndaloni së ngrëni tre orë para...
Shqipëri: Pakësohen martesat, shtohen divorcet – familja shq...