Kuvendi i Kosovës, vitin e kaluar e ka miratuar një rezolutë përmes së cilës parashihet që të ndahen shtesa prej 10 euro për fëmijët në Kosovë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç.
Sipas kësaj rezolute, ndarja e shtesave për fëmijët parashihet të nis në vitin 2019, megjithatë ende nuk dihet saktësisht se kur do të bëhet ndarja e mjeteve financiare për këtë çështje, ndërkaq e diskutueshme do të jetë edhe shuma e të hollave, pasi që pritet të ketë edhe kategorizim.
Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, e cila njëherësh e ka iniciuar idenë për shtesat e fëmijëve, ka thënë për KALLXO.com se është e sigurt që ndarja e shtesa do të ndodhë brenda vitit 2019.
“Pas aprovimit të rezolutës, Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punës që të fillohet puna në legjislacion shtesë me qëllim të zbatimit të gjitha pikave të rezolutës që nënkupton kategorizimin dhe implementimin e shtesave për fëmijë. Jam e sigurt që do të ndodhë brenda vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e Kadaj-Bujupi.
Sipas deputetes, në momentin që finalizohet ligji nga e ministrisë ndahet edhe buxheti për zbatim.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Financave dhe atë të Punës dhe Mirëqenies sociale.
Drejtori i Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për KALLXO.com, që për këtë çështje duhet të kërkohet përgjigje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ndërkaq, Musa Demiri, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në MPMS, në një përgjigje për KALLXO.com thotë që ky dikaster ka obligime nga rezoluta e miratuar për shtesat e fëmijëve.
Siç e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nxjerrë vitin e kaluar një rezolutë rreth shtesave për fëmijë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka obligime që burojnë nga kjo rezolutë, konkretisht, që ndërlidhen me hartimin dhe zbatimin e legjislacionit për ndarje të shtesave për fëmijë. Në rezolutë specifikohet se ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë gjatë vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e tij.
Sipas Demirit, sa i përket shumës mujore të shtesave për fëmijë, në rezolutë specifikohet se ajo duhet të kategorizohet, duke marrë parasysh kriteret përkatëse, përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve.
“Ndërkaq, vitin e kaluar, MPMS ka marrë përsipër reformë të plotë të sistemit pensional ku ka hartuar Koncept-Dokumentin për Fushën e Pensioneve dhe Beneficioneve. Në këtë Koncept-Dokument, ndër tjera është paraparë edhe hartimi i Ligjit për Sigurime Sociale nga i cili do të krijohet Fondi për Sigurime Sociale që do të jetë i financuar nga punëdhënësit dhe punëmarrësit”, thuhet në sqarimin e zyrtarit në këtë ministri.
Ai shton se ky fond do të financojë komplet shtyllën e parë të Sistemit Pensional ku përfshihet edhe mbrojtja prindërore (shtesat për fëmijë).
Në anën tjetër, ndarja e shtesave për fëmijët, nuk është e përfshirë as në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Megjithatë, shtesa prej 10 euro në muaj për fëmijët në Kosovë është konsideruar e pamjaftueshme për nevojat elementare për rritjen e tyre, duke pasur parasysh standardet ekonomike në vend.
BE pranon të heqë sanksionet ekonomike ndaj Sirisë
Tragjedi në Indi, 17 persona humbin jetën pasi konsumuan pij...
Liria me një forcë shtesë për ndeshjen e barazhit ndaj Vusht...
100 ditë nga burgosja, Veliaj: Ndalimi i padrejtë dhe arbitr...
Policia me aksion te Liqeni i Ujmanit, largohet një struktur...
BE-ja miraton sanksionet e reja kundër Rusisë