Dështon Rezoluta e LDK-së dhe VV-së për vizat

10:56 | 6 Dhjetor 2018
M. A.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk miratuan rezolutën e dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes lidhur me dështimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Me 40 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, deputetët nuk miratuan Rezolutën e propozuar nga dy partitë opozitare.

Shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti tha se për këtë rezolutë nuk ka harmonizim të qëndrimeve të partive parlamentare, megjithatë kërkoi që Rezoluta të hidhet në votim.

Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje tentojnë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Tri pikat e Rezolutës:

Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë.

/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale