Antimafia sekuestron pasurinë e biznesmenit Dashamir Gjoka

14:33 | 2 Shtator 2015
Gita

Prokuroria për Krime të Rënda, në zbatim të ligjit “Antimafia”, ka vendosur sekuestro për mbi 11 mijë metra katrorë truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku, Durrës, i hetuar për “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Fillimisht, Prokuroria ka marrë miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vendosjen e sekuestros preventive ndaj këtyre pasurive, raporton Shqiptarja.com.

Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos më datë 29.11.2007 që është bërë përfundimtar më datë 07.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë. Episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasi Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003. Në këto episode, shtetasi Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit Italian të grave me origjinë nga Evropa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas informacionit të autoriteteve italiane, ky shtetas rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri (Dashamir Gjokës). Ky i fundit, sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra kishte blerë disa prona në Shqipëri.

Po ashtu, në vitin 2013, ndaj këtij personi kishte edhe një urdhër arresti nga Gjykata e Monxas/Itali datë 09.02.2002 për kryerje të veprave penale “Dhunë seksuale”, “Akte të turpshme”, “Grabitje në rrethana rënduese”, “Mbajtje armësh zjarri”. Mbi bazën e këtyre vendimeve të gjykatës, shtetasi Dashamir Gjoka është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali dhe më datë 07.06.2013 është arrestuar për efekt ekstradimi.

Procesi për lejimin e ekstradimit është zhvilluar në tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, të cilat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim të Prokurorisë së Durrësit (si prokuroria kompetente, për shkak të vendbanimit të personit të hetuar).

Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të Prokurorisë, në dt. 17.03.2015, gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, në dt. 30.06.2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e shtetasit Dashamir Gjoka.
Në vijim, Prokuroria e Durrësit ka deleguar aktet e procedimit për hetimin pasuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit “Antimafia”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme