Të enjten u zhvillua ceremonia e varrimit të ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së Kofi Anan, në atdheun e tij Ganë. Në ceremoni morën pjesë udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre sekretari i Përgjithshëm i OKB’së Antonio Guterres si dhe udhëheqës nga Bregu i Fildishtë, Liberia, Namibia, Nigeria dhe Zimbabve, princi i kurorës së Norvegjisë dhe ish-presidentë të Ganës.
Gjashtë mijë vetë mbushën një sallë të madhe në kryeqytetin e vendit Accra, ku ndodhej arkivoli i Kofi Ananit i mbështjellë me një flamur kombëtar. Ceremonia u shfaq në ekrane të mëdha, jashtë vendit ku kryheshin homazhe, për ata që nuk arritën të futeshin dot brenda.
“Ai ishte një udhëheqës i jashtëzakonshëm botëror”, tha sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres
“Ai ishte gjithashtu një njeri tek i cili çdokush në botë mund të shihte veten, ata që jetojnë në kufijtë e skajshëm të varfërisë, konfliktit dhe dëshpërimit, të cilët gjetën tek ai një aleat, stafi i ri i Kombeve të Bashkuara, që po vazhdon punën nën gjurmët e tij, të rinjtë, të cilëve ai u pati thënë: deri në frymën e fundit gjithmonë mbani mend, nuk jeni kurrë tepër të rinj për të udhëhequr dhe nuk jeni kurrë, shumë të vjetër për të mësuar”
Kofi Anan e udhëhoqi organizatën e Kombeve të Bashkuara nga janari 1997 deri në dhjetor 2006.
Në vitin 2001 atij iu u dha një çmim Nobel për Paqen, i përbashkët me Kombet e Bashkuara, për “punën e tyre për një botë më të organizuar dhe më paqësore”.
Por Kofi Anan u bë gjithashtu objekt kritikash gjatë kohës që drejtonte forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara se nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar vdekjen e 800 mijë ruandezëve gjatë gjenocidit të vitit 1994 dhe të mijëra burrave dhe djemve myslimanë të vrarë në masakrën e Srebrenicës në 1995.
Kofi Anan vdiq më 18 gusht në moshën 80 vjeçare në një spital të Zvicrës.
“Shqipëria është në një nivel tjetër”, Rama për buxhetin 202...
Besim Hasani garon për deputet në listën e PDK-së
Nesër fillon “Java Kundër Korrupsionit 2025”
Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistrua...
Hegseth: Gjermania, aleate shembull për shpenzime në mbrojtj...
Slot mund të shkarkohet, një legjendë e klubit mund të bëhet...